Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur gjatë natës në një pikë karburanti në aksin rrugor Korçë-Kapshticë.

Sipas informacioneve paraprake, kanë qenë katër autorë që kanë grabitur paratë nën kërcënimin e armëve.

Nuk dihet ende shuma e grabitur, por mësohet se grabitësit pasi kanë dhunuar punonjësin e objektit, janë ngjitur në katin e dytë për te kasaforta.

Pasi kanë marrë paratë, kanë tentuar të largohen, por në vendngjarje menjëherë ka mbërritur policia, e cila u njoftua nga roja e karburantit teksa 4 personat përpiqeshin të hapnin kasafortën.

Efektivët janë vënë në ndjekje të grabitësve dhe u kanë kërkuar atyre të ndalojnë, por ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë.

Mësohet se për disa çaste ka patur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe 4 grabitësve, të cilët kanë arritur të largohen me një automjet.

Dyshohet se autorët kanë grabitur një shumë të madhe parash, ndërsa policia vijon aksionin për kapjen e tyre.