Ishte data 25 tetor kur Teuta njoftoi rikthimin e trajnerit Gugash Magani dhe koha mesa duket i jep të drejtë presidentit të skuadrës durrsake, Edmond Hasanbelliu. Teuta në atë periudhë po notonte në ujëra të turbullta dhe rikthimi i trajnerit peqinas u konsiderua zgjedhja më e mirë për ta nxjerrë skuadrën nga pozitat aspak komode. Tashmë nga largësia e 4 muajve, duket se ilaçi Magani duket se ka funksionuar në skuadrën durrsake që e mbylli javën e 22 me një fitore shumë të rëndësishme në transfertën e Vlorës në atë që u cilësua edhe si finalja e parakohshme e betejës për mbijetesë. 14 pikë në 11 ndeshje nga 23 që skuadra numëron aktualisht dhe një biletë për në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Skuadra duket se ka marrë fizionominë e trajnerit peqinas. Cinike, e fortë në mbrojtje dhe një grup i organizuar me ndonjë talent të veçuar si psh Gerard Progni, i cili arrin të bëjë diferencën në momente të caktuara duke i shtuar një marsh më shumë skuadrës durrsake. Tre fitore në 5 ndeshjet e fundit, që të treja shumë të rëndësishme ndaj kundërshtarëve direktë si Laçi, Tirana ao Flamurtari dhe një barazim ndaj Partizanit. Humbja e vetme e 5 javëve të fundit është ajo në transfertën e Kukësit ku gjithsesi Teuta arriti të vinte në vështirësi kryesuesit e kampionatit. Trajneri Magani po rezulton blerja më e rëndësishme e klubit bregdetar sepse mbi të gjitha ai ka treguar durim duke rregulluar dalëngadalë, por në mënyrën e duhur mekanizmat e skuadrës që dukej e dorëzuar pas vetëm dy muajve kampionat. Goli i Cmajcanin në minutat shtesë të Vlorës nuk ka vetëm peshën e tre pikëve por mbi të gjitha i jep një avantazh moral Teutës që tashmë e shikon në dishezë sezonin.
Ndeshja e radhës është ajo që do të luhet në “Niko Dovana” me Korabin që do të kërkojë të prishë ecurinë pozitive të “Djemve të Detit”, por armata e Maganit ka treguar se gjatë vitit 2017 do të jetë një kundërshtar i fortë për çdo rival. Teuta e trajnerit peqinas duket se po ecën në hapat e asaj skuadre që vetëm një sezon më parë arriti të siguronte biletën e Europës edhe pse këtë vit misioni është i thjeshtë, mbijetesa.