Dita e shumëpritur për të gjithë tifozët e Milanit po afron. Pas një jave klubi kuqezi do të kalojë zyrtarisht nga duart e Silvio Berlusconit te investitorët e rinj kinezë të cilët janë pjesë e grupit Sino Europe Sports. Por pikërisht nga kinezët vjen edhe një surprizë e ëmbël për fansat e 7-herë kampionëve të Europës dhe mbi të gjitha për skuadrën kuqezi. Pronarët e rinj të Milanit do të vendosin në dispozicion 100 milionë Euro extra për merkaton e verës së ardhshme.
Fininvest është në pritje të këstit të parë prej 420 milionë Eurosh, 320 prej tyre do të shkojnë në arkat e Berlusconit për blerjen e klubit ndërsa 100 milionë Euro do të jenë investimi i parë i pronarëve të rinj në klubin kuqezi, 70 do të shkojnë për të mbuluar shpenzimet për pjesën e mbetur të këtij sezoni dhe vetëm 30 do të mbeten për merkaton. Por këtyre 30 milionëve do tu shtohen pikërisht 100 milionë Euro të tjera në mënyrë që drejtori i përgjithshëm Marco Fassonne dhe drejtori sportiv Mirabelli të kenë mundësi të afrojnë në skuadër disa lojtarë lojtarë cilësorë për të përforcuar grupin që ka aktualisht në dispozicion trajneri Montella. Me 130 milionë Euro buxhet për merkaton e verës drejtuesit e Milanit do të tentojnë të afrojnë në ekip emra të tillë si Balde Keita i Lazios, Kessie i Atalantës, Schick i Sampdorias, Bernardeschi i Fiorentinës por dy talentet e Borussia Moenchengladbach, Dahoud për të cilin po lëviz Borussia e Dortmundit dhe Kramer.