Nuk është nga këngëtaret që qëndrojnë në faqet e para të shtypit rozë dhe showbiz-it, por Loreta Kaçka, e njohur nga të gjithë si Lori, ka krijuar prej vitesh profilin e saj muzikor. Më shumë se 15 vjet që karrierën artistike e ka ndërtuar në Kosovë, ndaj edhe janë të paktë ata që e mbajnë mend si Lorin nga Durrësi, qyteti në cilin ajo kaloi një pjesë të mirë të viteve të fëmijërisë.
E ftuar një ditë më parë në programin “Rudina” në Tv Klan, Lori rrëfeu më shumë për vitet në Prishtinë, qytetin që tashmë është bërë si shtëpia e saj: “Kam gati 15 vjet në Prishtinë. Jam shumë mirë edhe atje, sepse u bë kohë e gjatë edhe në Prishtinë. Kam rrethin tim shoqëror atje dhe ndihem shumë mirë.”
Megjithatë, larg prindërve dhe dy vëllezërve. Prindërit vazhdojnë të jetojnë në Durrës, ndërsa dy vëllezërit e martuar dhe me fëmijë në Itali. Tani që e gjithë familja e ka kokën të kthyer nga Lori për të rejat në jetën e saj personale, e zënë ngushtë, ajo pranon se kjo “vonesë” ka ardhur për shkak të profesionit, për të cilin i është dashur të bëjë edhe sakrifica të kësaj natyre.
Megjithatë, me këmbënguljen e Rudinës, Lori pranon se ka në plan për të bërë ndryshime: “Kur të vijë njeriu i duhet apo kur ta vendosni?” – vazhdon të pyesë moderatorja si për të kuptuar nëse ka apo jo një njeri në jetën e këngëtares së njohur: “Kur ta vendosim…” – përgjigjet ajo duke konfirmuar se në jetën e saj është dikush, të cilin, me siguri, do ta bëjë publik së shpejti.
Sa u përket projekteve muzikore, Lori ka gati edhe një këngë të re, baladë, zhanri në të cilin ajo ndihet gjithmonë e sigurt, por nuk i lë mënjanë as koncertet në Kosovë, Shqipëri e diasporë. /Class/