Meqë në opinionin tonë kohëve të fundit po ngrihet shumë pluhur për Deklaratën e Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni dhe për organizimin e Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare në Maqedoni, ndjejmë nevojë që të sqarojmë se gjithë kjo zhurmë bëhet që disa parti politike shqiptare në Maqedoni të përfitojnë politikisht në vigjilje të zgjedhjeve lokale, kumtojnë nga Lëvizja Besa.
Lëvizja Besa shpreh indinjatën se kryetari i BDI-së dhe një deputet i saj, në paraqitjet e tyre mediatike, deklaruan në mënyrë infantile se Deklarata është hartuar në Shkup, madje edhe nga vetë ata. Sipas tyre, kjo le që nuk është e vërtetë, por është ofendim edhe për lehtësuesit e arritjes së asaj Deklarate, si edhe për mbështetësit e saj. Sidoqoftë, ajo u mbetet në ndërgjegje atyre.
Lëvizja Besa:
E vërteta është se, në relacion me Tryezën e Partive Parlamentare Shqiptare në Maqedoni, qëndrimi i Lëvizjes BESA ka qenë se nuk pranon takim që iniciohet me ftesë të kryetarit të BDI-së në Shkup dhe kjo ka qenë e njohur për opinionin. Ai që ishte fajtori kryesor që BESËS iu morën dy deputetë për t’iu dhënë VMRO-së dhe i cili për 15 vjet e nëpërkëmbi interesin shqiptar, për çka flet edhe përmbajtja e Deklaratës (që erdhi vetëm pas paraqitjes së BESËS në skenë), dhe ai që nuk ka më legjitimet të përfaqësimit të shqiptarëve, nuk është i denjë as të ftojë takim të partive shqiptare në Maqedoni. Ai mund të jetë kryeplak për ndonjë parti a aleancë tjetër, por për neve ai është Kryefajtori i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni. Për këtë arsye, nismat e tilla, gjoja në emër të interesave madhore shqiptare, por duke abuzuar me Tryezën, për neve janë qëllimkëqija dhe synojnë vetëm rehabilitimin e atyre që për 15 vjet rresht e kanë rrënuar skajshmërisht interesin e shqiptarëve në Maqedoni. Atij që mund t’i duhen takime publike me BESËN, që si Pilati t’i lajë duart nga krimi, ne nuk mund t’ia mundësojmë këtë kënaqësi.
Për këtë arsye, derisa nuk ka nismë për konvokimin e Tryezës sipas saj që jemi marrë vesh, kjo i bie se ajo nuk do të organizohet fare. Rrjedhimisht, takimet që bëhen në emër të Deklaratës, më shumë u ngjajnë bisedimeve për koalicionin e ardhshëm BDI-Aleanca sesa që mund të jetë Tryeza e dakorduar me Deklaratën. Kjo për faktin e thjeshtë se Tryeza as që është konstituuar ndonjëherë, por ato janë takime që kanë filluar në “A. Palace” dhe që vazhdojnë ndërmjet partive të sipërpërmendura dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë të ndërhyjmë në bashkëpunimin e tyre.
Megjithatë, kjo nuk e pengon implementimin e Deklaratës, ngase Lëvizja BESA nuk ka hequr dorë nga mbështetja e Deklaratës dhe kurdoherë që pikat e saj do të vijnë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, deputetët e saj do t’i mbështesin ato./INA