Ish-drejtori i financave të FIFA-s, Markus Kattner, ka akuzuar gjermanin Franz Beckenbauer se ka marrë pagesa të dyshimta në Gjibraltar, në lidhje me Kupën e Botës 2010, e cila u zhvillua në Afrikën e Jugut. Kështu thuhet edhe sot në gazetën “Bild”. Sipas deklaratave të prokurorit zviceran, Kattner, në qershor të vitit 2016, FIFA mori pagesën e të paktën 1.7 milionë eurove nga Federata e Futbollit të Afrikës së Jugut për të paguar Beckenbauer dhe partnerët e tij, Andreas Abold dhe Fedor Radmann, që kishin ndihmuar me anë të këshillave të tyre kandidaturën e zhvillimit të Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, e organizuar nga ky vend.
Gazeta e njohur gjermane vë në dukje se në vitin 2005, një vit pas dhënies së të drejtës së zhvillimit të turneut Afrikës së Jugut, federata e këtij vendi kishte probleme financiare. Kësisoji, presidenti i saj, në pamundësi për t’i bartur të gjitha shpenzimet, iu drejtua FIFA-s dhe kërkoi ndihmë. Sipas “Bild”, pastaj, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Urs Linsi, i cili shërbeu në këtë post nga viti 2002 deri më 2007, personalisht urdhëroi pagesën e faturave, edhe pse Federata Ndërkombëtare e Futbollit nuk ishte në përputhje me statutin e saj, në këtë rast. Gazeta në fjalë, në bazë të dosjeve të hulumtimit, ka mësuar se partnerët e Beckenbauer, Radamnn dhe Abold, i kanë marrë paratë e tyre direkt, ndërsa fondet për Beckenbauer, janë transferuar në llogarinë e një kompanie në Gjibraltar.
Këto pagesa janë objekt i hetimeve nga ana e drejtësisë zvicerane, e cila dyshon për korrupsion, përvetësim dhe pastrim parash, ndër të tjera, nga ana e “Kaiserit”, ndërsa ky i fundit shërbente si president i kandidaturës së Gjermanisë për Kupën e Botës 2006. Hulumtimi fokusohet në një pagesë prej 6.7 milionë eurosh nga DFB, bërë për kreun e Adidas asokohe, Louis Dreyfus, e cila shoqërohet me koncepte të pasqaruara financiare dhe nuk është regjistruar si duhet në llogaritë e organizatës. Deri më tani nuk dihet se çfarë pagese ishte dhe për çfarë shkaku u bë. Sipas raporteve të brendshme të porositura nga DFB, kjo shumë u transferua nga një llogari në një tjetër, të ish-zyrtarit të Katarit, Mohamed Bin Hammam. Vetë Hamman u skualifikua në përjetësi nga FIFA për përvetësim fondesh, pas një hetimi mbi çmimin e Kupës së Botës, “Katar 2022”.