Një debat i ndezur ka lindur mbrëmjen e sotme në “Dance with me” midis prezantueses Alketa Vejsiu dhe jurisë Robert Aliaj, por që ka përfshirë të gjithë protagonistët e spektaklit.
Debati nisi pasi konkurrenti Renato Mekolli këndoi njërën nga këngët më të njohura greke, performancë që u pasua nga një koment i ashpër i Aliajt. “Do doja që edhe të huajt të këndonin shqip, ashtu siç këndojmë në gjuhën e tyre”, deklaroi Roberti dhe më pas u ngrit nga tavolina për t’u ngjitur në skenën e spëktaklit dhe për t’i marrë telefonin prezantueses Vejsiu.
“Mikrofonin s’ma heq dot. Mikrofonin s’ma heq njeri mua” replikoi Alketa duke vazhduar “deri tani s’të mora seriozisht. E mbajta në formën e një loje. Unë s’kam paragjykime të kësaj natyre, këtu këndojnë të gjithë”.
Ndërkohë në debat u përfshinë dhe personazhet e tjera si politikani Nard Ndoka dhe ish-misi Valbona Selimllari. “Na lodhët! Muhabet koti. Kemi ardhur për t’u argëtuar”, u shpreh Selimllari.
Komentet nuk munguan as nga ana e Renatos, i cili tregoi se pikërisht në Greqi kishte nisur karriera e tij duke larë pjata dhe më pas duke u shndërruar në njërin prej kuzhinierëve më të njohur. “Këtu jeni për të vlerësuar kërcimin dhe jo atë që këndojmë”: Me këto fjalë iu drejtua Renato Robertit në mbyllje të dëbatit.





