Gjykata e Durrësit ka gabuar rëndë në rastin e vendimit të dhënë lidhur me pronësinë e tokës në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për dhunimin e biznesmenit libanez dhe largimin e tij nga Shqipëria. Për këtë, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka kërkuar shkarkimin e kryegjyqtares së Durrësit, Joana Qeleshi.

Manjani doli në një deklaratë për median për të bërë publike rezultatet e hetimit administrativ për çështjen e pronësisë mbi truallin e Gjirit të Lalzit, ku do te investonte shoqëria “OMNIX”.

“Kemi përgjegjësi të rëndë ligjore që nis nga gjykata e Durrësit. Kam kërkuar procedim disiplinor për shkarkimin e gjyqtares në KLD. Ajo ka gabuar shumë rëndë proceduarialisht. Është vendim shumë i rëndë me një pasojë shumë të rëndë. Shkelja e ligjit cenon rëndë figurën e gjyqtarit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Manjani.

Shkarkon dhe përfaqësuesit e Avokatisë së Shtetit në Durrës

Kreu numër një i Drejtësisë bëri me dije se janë shkarkuar dhe përfaqësuesit e Avokatisë së Shtetit në Durrës.

“Avokatja e shtetit të thellojë analizën në institucionin që drejton. Që nga ky moment drejtuesi i Avokaturës së Shtetit në Durrës është i shkarkuar. Gjithashtu dhe juristi. Asnjë lloj tolerance. I kërkoj bashkisë Durrës të analizojë dhe shkarkojë juristët që kanë lënë këtë çështje të hyjë në fuqi”.

Bëhet fjalë për vendin ku kompania “Omnix Albania” do të ndërtonte një kompleks gjigant turistik më vlerë 450 milionë dollarë. Deri para 6 muajsh, e gjithë sipërfaqja rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit. 

Por më datë 25 mars të këtij viti, Gjykata e Durrësit, përkatësisht gjykatësja Joana Qeleshi ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë familjes Seçuni nga Durrësi.