Edhe këtë të martë vijon aksioni i Policisë Bashkiake të Durrësit për largimin e barrierave dhe pengesave fizike në hapësira publike, të cilat zihen nga qytetarët në mënyrë individuale dhe të kundërligjshme.
Shërbimet e Policisë Bashkiake kanë ndërmarre masa për largimin e barrierave dhe pengesave fizike të vendosura nga qytetarë apo subjekte, si: kupola betoni, struktura metalike, bidona, zinxhirë, goma, karrige apo mjete të tjera rrethanore të përdorura për të zënë vende parkimi.
Efektivët janë përqendruar këtë të martë te blloku i pallateve te sheshi “Pranvera” dhe ish-rajoni i policisë.
Ndërkaq, aksioni në ditët në vijim do të shtrihet në të gjitha lagjet e Durrësit, ndërsa Policia Bashkiake bën apel që qytetarët dhe subjektet t’i largojnë vullnetarisht këto pengesa.
“Duke hequr vullnetarisht pengesat, shmangim masat administrative apo procedimet penale, por mbi të gjitha tregojmë qytetari për komunitetin dhe hapësirën që na përket të gjithëve. Hapësirat publike do të rikthehen në funksion të të gjithëve!“, përmbyllet apeli.





