“DurrësLajm” ka siguruar pamjet e momentit kur kamerieri 18-vjeçar Genti Nela dhunohet nga djemtë e pronarit të hotelit “Flar” në Malin e Robit në Golem. Në pamje, fillimisht dallohet 18-vjeçari i veshur me një bluzë të zezë, i cili godet me grusht Florian Habilajn, i shpallur në kërkim pas ngjarjes.
Dinamika e sherrit dhe e përplasjes para këtij momenti është ende e paqartë. Por menjëherë pasi 18-vjeçari ka goditur Habilajn, ky i fundit bashkë me 3 persona të tjerë e rrethojnë të riun duke e qëlluar me grushte pa pushim dhe duke e shtyrë.
Sipas policisë, përplasja e dhunshme ka ndodhur pasi i riu ka kërkuar pagesën për punën në hotel. Për ngjarjen ka rënë në pranga Florian Habilaj, djali i pronarit të hotelit dhe Enold Dragoti, shoku i pronarit.
Pamjet e siguruara hedhin dritë mbi atë që ndodhi jashtë lokalit, por grupi hetimor duhet të zbardhë edhe momentet e konfliktit brenda ambienteve të hotelit, aty ku pronarët kanë fshirë DVR e kamerave të sigurisë.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi më 27 gusht, ditën kur kamerieri Nela u njoftua se duhej të largohej nga puna si kamerier. 18-vjeçari përfundoi me 2 qepje mbas koke, 1 dhëmb të thyer dhe frakturë në hundë.
4 ditë pas ngjarjes, në Gjykatën e Durrësit, dje, i arrestuari Florian Habilaj u shfaq me një fashë të vogël në pjesën e sipërme të kokës.
Në lidhje me ngjarjen është arrestuar edhe xhaxhai i 18-vjeçarit, 47-vjeçari Melson Nela. Sipas Policisë, ai u kap me një kallashnikov në makinë teksa dyshohet se po shkonte drejt hotelit me qëllim hakmarrjen.
Ky version është mohuar nga 47-vjeçari, që akuzohet për armëmbajtje pa leje, në gjykatë.
Ndërkohë, njëri nga vëllezërit pronarë të hotelit Florian Habilaj dhe Enold Dragoti, i njohur i tyre dhe kamerier në lokal, janë lënë arrest në burg për 45 ditë. Ata akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.
Bashkëpronari tjetër, Arbër Habilaj, është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër person po hetohet në gjendje të lirë.





