Ka ndërruar jetë 52-vjeçari nga Durrësi, Artan Andoni, rasti i të cilit u bë publik rreth një muaj më parë, pas raportimeve se ishte nxjerrë nga spitali dhe ishte lënë me ambulancë në ambientet e portit të peshkimit.
Në raportimet e para pretendohej se 52-vjeçari ishte lënë i vetëm në port, ndërsa Spitali Rajonal i Durrësit reagoi duke mohuar këtë version. Sipas sqarimit të spitalit, pas përfundimit të trajtimit, pacienti kishte deklaruar se nuk kishte ku të qëndronte dhe për këtë arsye ishin kontaktuar strukturat sociale dhe Policia e Shtetit.
Sipas spitalit, një familjar kishte marrë përsipër të kujdesej për 52-vjeçarin. Ai ishte transportuar me ambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të policisë, dhe i ishte dorëzuar familjarit.
Pas rikthimit në spital, 52-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe qëndroi në repartin e Terapisë Intensive. Mjeku Naim Mediu kishte deklaruar se operacioni kishte përfunduar me sukses dhe gjendja e pacientit ishte e stabilizuar.
Fatkeqësisht ditën e sotme gazetari Osman Stafa ka dhënë lajmin që Andoni është ndarë nga jeta
Kujtojmë se, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar një hetim të thelluar administrativ për të verifikuar procedurat dhe përgjegjësitë e strukturave të përfshira në trajtimin e rastit.
Në reagimin e tij, gazetari Stafa shtron pyetjen se çfarë ka ndodhur deri më tani me hetimin e thelluar nga dikasteri i Shëndetësisë, rreth një muaj më parë.





