Drejtuesi i mjetit i cili shkaktoi aksidentin e rëndë rrugor mbrëmjen e së dielës, ku humbi jetën një polic dhe u plagosën dy të tjerë, ka qenë nën ndikimin e alkoolit.  Arnold Kola, djali i ish- deputetit socialist Ndue Kola, rezulton të ketë qenë arrestuar edhe në vitin 2015 për drejtimin e makinës në gjendje të dehur, por gjykata e ka lënë të lirë, duke vendosur ndaj tij masën "detyrim paraqitjeje". 

Njoftimi i policisë: 

“Mjeti tip “Lexus”, me targë TR8788T, me drejtues shtetasin Arnold Kola, 22 vjeç, duke ardhur nga qendër Kamëz në drejtim të Institutit, ka goditur mjetin e policisë me targë POLICIA2164 (mjet i Komisartiatit të Policisë Nr.5), i cili ka qënë në patrullim në të njejtin sens lëvizje. Si pasojë e kësaj goditje ka ardhur dëmtimi i punonjësve të policisë që kanë qënë në mjet, I. H., 52 vjeç, B. V., 42 vjeç dhe Ervin Haxhiaj, 41 vjeç, i cili pak çaste më vonë ka ndërruar jetë në spitalin e traumës. Dy punonjësit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.  Drejtuesi i mjetit tip “Lexus”, shtetasi Arnold Kola, ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit në masën 0.57mg/l dhe 0.53 mg/l. ndaj këtij shtetasi është bërë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga Nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal.