Kjo është një histori disi e vështirë për t’u besuar dhe njëkohësisht shumë e veçantë. Prindërit e fëmijës të lindur katër muaj më parë në Ekuador janë të dy transgjinorë. Ai që ka sjellë në jetë fëmijën nëpërmjet një lindjeje cezariane është një mashkull që më parë ishte femër dhe që është fekonduar nga një femër, e cila më parë kishte qenë një mashkull.
Prindërit e fëmijës janë Fernando Machado e Diane Rodriguez, të cilët shprehen se duan të kenë fëmijë të tjerë dhe se ende nuk e kanë zgjedhur emrin e të sapolindurit, edhe pse ka 16 javë që ka ardhur në jetë. Për momentin ata e thërrasin të sapolindurin me emrin Caraote.
Machado, pasi ka sjellë në jetë fëmijën gjatë muajit qershor ka thënë se e konsideron familjen e tij si gjithë familjet e tjera, vetëm me një ndryshim që konsiston në njohjen e të drejtave.
Zonja Rodriguez, emri i lindjes së të cilës ka qenë Luis, ka pranuar se nuk e kishte menduar kurrë se do të mund të bëhej prind ndonjëherë. “Kam menduar gjithmonë kështu duke qenë se unë jam transeksuale”, – ka thënë ajo.
Gjatë shtatzënisë të dy kanë mbajtur të azhurnuar në mënyrë të vazhdueshme fansat që i ndiqnin në rrjetet sociale, duke postuar foto nga momentet e rëndësishme. Nuk ka munguar as një foto nga lindja e fëmijës dhe prerja cezariane në barkun e Fernandos. “Ishte momenti më i bukur i jetës time. Lotët e m’i ishin të gjithë lot lumturie. Lumturia ishte e pamat dhe e papërshkrueshme”, – thotë babai që lindi nga mitra e tij fëmijën.





