Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin “Për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit në Republikën e Shqipërisë”. Projektligji në fjalë ka pësuar një ndryshim në nenin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat kanë pësuar ulje nga varianti fillestar i propozuar.
Nëse më parë paga mesatare për magjistratët ishte propozuar të ishte rreth 330 mijë lekë në muaj, në projektligjin e miratuar dje nga shumica e majtë, paga është ulur në rreth 250 mijë lekë. Për magjistratët e sistemit të drejtësisë, ata që do të kalojnë procesin e vetingut është parashikuar një rritje page prej 2% çdo vit kalendarik, deri në 25 vite. Por ulje të pagave nga propozimi fillestar ka pësuar e tërë hierarkia e sistemit të drejtësisë.
Për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese paga ishte propozuar të ishte në nivelin e 455 mijë lekë në muaj, ose rreth 4 mijë euro, ndërkohë që pas ankesës së Ministrisë së Financave pagat kanë pësuar ulje të konsiderueshme. Për kreun e Gjykatës Kushtetuese, paga është propozuar të jetë në nivelin e 341 mijë lekëve, ose rreth 3 mijë euro.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe ata të Gjykatës së Lartë do të marrin një pagë rreth 280 mijë lekësh në muaj, nga 380 që ishte propozuar në fillim. Paga e kryeprokurorit ka pësuar edhe ajo një ulje të ndjeshme nga varianti fillestar.
Nga 345 mijë lekë në muaj që ishte propozuar për Prokurorin e Përgjithshëm, dje maxhoranca ka miratuar që niveli i pagës mujore për këtë titullar institucioni të jetë në masën e 258 mijë lekë në muaj. Kjo pagë e kryeprokurorit është barazuar me prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Përgjithshme.





