Policia italiane ka vënë në pranga një 24-vjeçar shqiptar me inicialet K.S.

Ai u arrestua ndërsa ndodhej në një makinë tip BMW me dy bashkëkombës të tjerë në rrugën “Fratelli Rosselli”. Ai është shoqëruar në Zyrën e Emigracionit në Asti, ku sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, rezultoi se ai ishte dëbuar nga Italia në maj të vitit 2012, me një ndalesë për të hyrë në zonën Shengen për pesë vjet.

Por pavarësisht këtij ndalimi, mediat italiane shkruajnë se shqiptari kishte mundur të hynte ilegalisht në Itali përmes portit të Barit në shtator të këtij viti. Duke shkelur kështu urdhrin e dëbimit, shqiptari ishte martuar me një vajzë italiane 23-vjecare.

Nga Departamenti i Emigracionit është duke u hetuar përfshirja e mundshme e personave të tjerë që mund të kenë krijuar kushtet për qëndrimin e paligjshëm të personave të huaj në Itali, apo që organizojnë martesa me italiane për të mos i dëbuar.