Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së ka publikuar vendimet pas incidenteve të ndodhura në dhe pranë stadiumit pas përfundimit të ndeshjes mes AF Elbasanit dhe KF Vllaznia.

Komisioni ka dënuar me 15 ndeshje pezullim nga veprimtaritë presidentin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.

Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE-së, Xhaferit i ndalohet gjithashtu hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundimin e dënimit.

Ndërkohë, AF Elbasani është dënuar me gjobë në masën 100 mijë lekë për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë, për incidentet e ndodhura pas përfundimit të ndeshjes, si brenda ashtu edhe në afërsi të stadiumit.

Komisioni ka dënuar gjithashtu zyrtarin e KF Vllaznia, Edi Martini, me 6 ndeshje pezullim për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Zyrtari tjetër i Vllaznisë, Elis Dervishaj, është dënuar me 4 ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Në vendimet e publikuara këtë të mërkurë, Komisioni i Disiplinës ka dënuar edhe trajnerin e FC Dinamo City, Ilir Daja, me 2 ndeshje pezullim për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.