Sikur të mos mjaftonte e ardhmja e vjehrrit, i cili po numëron 6 vitet e burgut në një burg të SHBA-së për pastrim parash, tani Garet Bejli gjendet përpara një konflikti me familjen e të fejuarës, Ema Xhons, për faj të një valixheje plot me para, të zhdukur në mënyrë misterioze pas tre sulmeve me zjarrvënie në harkun e pak ditëve në dëm të gjyshërve dhe dy hallave të partneres së yllit të Realit.

Siç raporton “The Sun”, zjarrvënia e parë u verifikua të premten e shkuar dhe si shënjestër kishte makinën e Xhon dhe Eva MekMërrej, gjyshërve të dashur të Emës. Autorët ishin disa persona që nuk janë identifikuar, të cilët thyen me gurë xhamat e dritareve të shtëpisë dhe spërkatën me benzinë makinën përpara se t’i vinin flakën dhe largoheshin.

Por, ditën e martë, ndodhën dy zjarrvënie të tjera të dy makinave të Anabel Uilliamsit, të cilat u dogjën përpara shtëpisë së gruas në Flint, në veri të Uellsit nga dy persona të cilët janë filmuar nga kamerat e sigurisë. Ndërkohë që një halle të dytë të zonjës së ardhshme Bejl, Xhejn Bërns, e cila jeton pak metra larg shtëpisë së Uilliamsit, i dogjën kutinë postare.

“Pavarësisht se Ema jeton në Spanjë, mijëra kilometra larg Uellsit, ajo është shumë e trembur, edhe pse siguria e saj është e garantuar nga masat që janë marrë për të dhe Bejlin, të cilat janë përforcuar më tej pas këtyre ngjarjeve”, tregon një burim pranë familjes për tabloidin “The Sun” pas atentateve të fundit.

Dhe, pas këtyre zhvillimeve, dyshimet e para të hetuesve janë tek Epifani Dring, vajza 27-vjeçare e Bërnsave dhe një ish-modele e faqes 3 në “The Sun”, e cila paskësh qenë në shtëpinë e gjyshërve në momentin kur valixhja e famshme me para është zhdukur.

“Është e qartë që dikush e do atë valixhe mbrapsht”, i tha Xhejn tabloidit. “Por unë nuk kam folur me vajzën time prej pesë javësh dhe uroj që të jetë mirë.”