(Foto: vendi në Ishëm ku u rrëzua avioni i pilotit italian)
Kur ka kaluar një javë nga rënia e avionit në Ishëm, i cili dyshohej se do të transportonte drogë, policia e Durrësit ka sekuestruar 300 kg kanabis sativa në një banesë në këtë fshat, e cila ishte përshtatur për pastrimin, tharjen dhe magazinimin e bimëve narkotike.
Specialistët e Antidrogës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë identifikuar një banesë, ku u gjetën rreth 300 kg kanabis sativa.
Pronari i banesës me inicialet B.A., 47 vjeç, është shpallur në kërkim, ndërsa ka nisur procedimi penal ndaj një personi tjetër, i cili është kapur me 13 punëtorë në një furgon, të cilët punonin në pastrimin dhe tharjen e bimëve narkotike në banesën ku u zbulua droga.
“Është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarit të banesës, shtetasit B.A. 47 vjeç, banues në fshatin Kërtushaj-Ishëm, Durrës. Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal në ngarkim të shtetasit A.Ll. 32 vjeç, banues në Hamallaj, Durrës. Shtetasi i mësipërm, në fshatin Rrotull, Ishëm është kapur me një mjet furgon me targa AA 039 BK, me 13 shtetas (punëtorë), të cilët punonin në pastrimin dhe tharjen e bimëve narkotike në banesën e shtetasit B.A.”, njofton policia.
U sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
● rreth 300 kg kanabis sativa;
● mjeti tip furgon në pronësi të njërit prej punëtorëve;
● një mjet tip Peugeot në pronësi të shtetasit A.Ll.
Në Ishëm, një javë më parë ra një avion i cili drejtohej nga piloti italian Guido Andrea Guidi, i cili fillimisht thuhet se ka deklaruar para autoriteteve se kishte ardhur në Shqipëri për të parë nga afër vendin, dhe në rrugën e ardhshme do të kryente një transport prej 200 kg kanabis, për të cilën do të paguhej 20 mijë euro nga trafikantët shqiptarë e italianë.
Madje në vendin ku u rrëzua avioni, u zbulua edhe një pistë e improvizuar, të cilën dyshohet se e kanë ndërtuar trafikantët e drogës për të transportuar drogë me avionë.
Pikërisht në afërsi të këtij vendi, policia ka zbuluar dje 300 kg lëndë narkotike. Nuk dihet nëse kjo sasi droge ka lidhje me trafikun e mundshëm që do të kryente piloti italian, ndërsa policia tregohet e rezervuar në dhënien e informacioneve apo detajeve të tjera rreth këtij operacioni.





