11 të dyshuar si porositës të kërcënimit me jetë ndaj biznesmenit libanez që la Shqipërinë një ditë më parë. Mes tyre edhe ndërtues në fushën e turizmit, por asnjë procedim penal. Lista me emra konkretë është përpiluar nga grupi i hetimit në Durrës, për dhunën ndaj Faadi Mitrit, biznesmenit që do të investonte 450 milion dollarë në Gjirin e Lalëzit.

Lajmi mësohet nga burime të besueshme të antikrimit në qytetin bregdetar. Identifikimi i tre personave si autorë të dyshuar dhe arrestimi i njërit prej tyre, nuk ka mbyllur hetimet, por po kërkohen të tjerë persona të përfshirë në ngjarjen e rënd. Dyshohet se ajo është porositur dhe paguar, raporton “ABC News”.

Ndërkohë, në dy komisariate, Shijak dhe Durrës vazhdojnë të shoqërohen persona për t’u marrë në pyetje. Janë kryesisht banorë të Sukthit dhe të Katundit të Ri. Nga dëshmitë e tyre janë ngritur dyshime, që porositësit e rrahjes së biznesmenit mund të jenë biznesmenë të tjerë, të cilët pretendojnë pronësi toke në Gjirin e Lalëzit, ashtu sikurse edhe për shkak të konkurencës së ndërtimeve të resorteve në këtë zonë.

Disa persona, pjesë e listës së të dyshuarve të grupit hetimor, janë marrë në pyetje, për t’u lënë më pas të lirë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 10 shtator. Faadi Mitri u dhunua në rrugën e Rinasit, ndërsa po udhëtonte me familjarët e tij. Aktualisht në burg për ngjarjen është Skënder Kraja, në kërkim Landi Muharremi dhe Arben Merkuri. Kurse Mitri, bashkë me kompaninë e tij. u largua nga Shqipëria pasditen e së martës.