Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moska po i ofron Iranit ndihmën e nevojshme dhe po e furnizon me mallra, në një periudhë të vështirë për Teheranin. Gjatë takimit me presidentin iranian Masoud Pezeshkian në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Putin theksoi solidaritetin e Rusisë me popullin iranian dhe vlerësoi qëndrueshmërinë e tij përballë presioneve ndërkombëtare.
“Rusia qëndron në solidaritet me popullin iranian”, u shpreh ai, duke shtuar se Moska synon të forcojë edhe bashkëpunimin humanitar me Teheranin.
Mediat e huaja bëjnë me dije se Pezeshkian falënderoi Rusinë për mbështetjen e dhënë Iranit gjatë përballjes me Shtetet e Bashkuara dhe sanksionet amerikane. Presidenti iranian akuzoi Uashingtonin se nuk mund të justifikojë veprimet e tij ndaj Teheranit dhe deklaroi se marrëdhëniet ruso-iraniane janë strategjike.
Të dy liderët ritheksuan kundërshtimin ndaj një rendi ndërkombëtar unipolar dhe mbështetjen për një sistem shumëpolar, ndërsa Putin nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve po vijon pavarësisht situatës së tensionuar politike dhe ushtarake.





