Kërkesa për t’u pajisur me kasë fiskale dhe regjistër tatimor, ka nxjerrë në proteste 1200 tregtarë të tregut industrial e të sendeve të përdorura në Durrës. Kreu i shoqatës së tregtarëve Myslym Coka, deklaroi se prej disa ditësh inspektorët e tatimeve të Tiranës kanë mbërritur në treg e u kanë vendosur gjoba 50 tregtarëve me vlerë mbi 500 mijë lekë secilit, në mungesë të kasës fiskale.

Një tjetër problem i ngritur nga tregtarët është konkurrenca e pandershme. Tregtarët shprehen se xhiro ka rënë në minimumin historik, ndërsa gjoba fiktive janë vendosur në treg me arsyetime të ndryshme nga Tatimorët.  

Aktualisht tregtarët e tregut industrial në Durrës, janë klasifikuar nga bashkia në ambulantë. Ata paguajnë 60 mijë lekë taksë vjetore ndaj bashkisë si dhe detyrimet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Për çdo muaj paguajnë qiranë ndaj subjektit privat ku i çoi bashkia disa vjet më parë.

“DurrësLajm” u interesua pranë bashkisë së Durrësit, dhe kreu i Taksave dhe Tarifave Vendore deklaroi në një lidhje telefonike, se Bashkia i ka klasifikuar si ambulantë për shkak të xhiros së ulët ditore. “Ne i kemi klasifikuar si ambulantë për shkak të xhiros së ulët ditore të tyre. Janë inspektorët e drejtorisë së Tatim –Taksave që kanë krijuar këtë situatë”.

Në drejtorinë e Tatim-Taksave deri tani nuk është përgjigjur askush pavarësisht insistimit të medias tonë.

 

K.H.