Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka urdhëruar nisjen e hetimit administrativ lidhur me sqarimin e situatës së pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalzit, ku do të investonte shoqëria OMNIX.
Mësohet se Manjani ka urdhëruar mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP), si edhe ZVRPP-ja Durrës.
Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve të gjykatës së Durrësit.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, konkluzionet e hetimit administrativ do të bëhen të ditura në përfundim të procedurave ligjore.
Një ditë më parë, kompania “Omnix Albania” deklaroi se tërhiqet nga investimi 450 milionë dollarësh i parashikuar në Gjirin e Lalzit. Ky vendim u mor pas sulmit ndaj përfaqësuesit të saj, biznesmenit libanez Fadi Mitri.
Kompania është larguar përfundimisht nga Shqipëria rreth orës 16:45 të së martës. Ndërsa biznesmeni i dhunuar, është larguar me barelë me avion nga Shqipëria, i shoqëruar nga familjarët.
Ngjarja
Ishte data 10 shtator kur biznesmeni libanezon-amerikan, Fadi Mitri, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli në aksin rrugor, Kashar – Rinas, pas një përplasje mjetesh. Ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë ka hematoma të shumta, ndërsa njërën këmbë e ka të thyer. Kanë qenë tre persona që e kanë sulmuar, pasi i kanë përplasur makinën me të cilën ai udhëtonte në rrugën e Rinasit. Ata janë larguar me një makinë tip “Tuareg” me targa të huaja, që ende nuk është gjetur nga Policia.





