Një konflikt i çastit mes dy personave në Mirditë ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit dhe ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaçinar, ku i plagosur ka mbetur 21-vjeçari me iniciale N.P., teksa autori i identifikuar si shtetasi Pal Perndreca, është shpallur në kërkim.
Policia është sinjalizuar mbi ngjarjen nga autoritetet spitalore, pasi u paraqit në gjendje të plagosur një djalë i ri.
“Në orën 07:45 është marrë njoftim se në spitalin e Rrëshenit është paraqitur i plagosur lehtë me armë zjarri në krah shtetasi N.P. 21 vjeç, banues në Kaçinar – Mirditë, i cili është jashtë rrezikut për jetën”.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, të cilat kanë konstatuar se ka qenë një konflikt i çastit për motive të dobëta mes shtetasit N.P. dhe një shtetasi tjetër, konflikt që ka agravuar në përdorimin e armës së zjarrit nga ky i fundit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe operative, policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar për ngjarjen, shtetasi Pal Perndreca, banues në Kaçinar, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij”, informoi policia.





