Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” të cilët u ndaluan me urdhër të Prokurorisë me akuzën për neglizhencë pas vdekjes së 35-vjeçares shtatzënë Aida Çajku pak ditë më parë.
Gjykata ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për mjekët Helidon Klosi dhe Dritan Deçka deri në përfundim të hetimeve. Togat e zeza kanë vendosur kështu të hedhin poshtë kërkesën e prokurorisë e cila kërkoi 45 ditë burg për ta.
Ata pritet që të rikthehen në maternitet për të vijuar punën e tyre, ndërsa Prokuroria do të vijojë hetimet edhe në spitalet e tjera ku është paraqitur gruaja natën e 16 shtatorit. Vetë mjekët kanë deklaruar se nuk është përgjegjësia e tyre rasti i 35-vjeçares Aida Çajku, pasi nuk kanë konstatuar probleme të barrës dhe kanë gjykuar si të arsyeshme dërgimin e saj në QSUT, ku ka aparatura dhe mjekë specialistë për problemet abdomenit.
Aida Çajku ndërroi jetë pas një ‘odiseje’ vuajtjesh dhe transferimesh sa në njërin spital në tjetrin. As foshnja saj, e seksit femër nuk mund të mbijetojë.





