Siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, protesta qytetare ka hyrë sot, 1 shtator, në një fazë të re përshkallëzimi.
Në ditën e 94-të të qëndresës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, protestuesit kanë ndryshuar skenarin e marshimeve të mëparshme, duke bllokuar një nga hyrjet anësore të Kryeministrisë.
Ndryshe nga netët e tjera, kur qytetarët marshonin drejt godinës dhe qëndronin përpara saj, këtë herë ata janë vendosur në një prej hyrjeve anësore, pranë Piramidës.
Situata ka zënë të papërgatitur edhe forcat e Policisë së Shtetit, të cilat janë pozicionuar menjëherë rreth godinës së Kryeministrisë.
Ndërkohë, mësohet se protesta ka penguar edhe daljen e kryeministrit Edi Rama nga godina. Automjeti i tij raportohet se ndodhej i ndezur pranë hyrjes ku janë pozicionuar qytetarët.
“Edi Rama, dil në Bulevard”, janë thirrjet e qytetarëve.





