Në veri të Luginës së Shalës, rreth 70 kilometra nga qyteti i Shkodrës, mes kurorës mahnitëse të maleve të larta, në zemër të Alpeve "fshihet" lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta, 759 deri në 950 metra mbi nivelin e detit. Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhënve, Sheniku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, maja e Zezë dhe Maja e Zorgjit, që gërshetohen në një reliev që të zgjojnë kureshtien për ata që adhurojnë turizmin malor.  Nisim rrugën për të shkuar drejt kësaj mrekullie natyrore me shpresën se diçka do jetë bërë për këtë zonë, me qëllim thithjen e turistëve që preferojnë turizmin malor…por jo… Gjarpërimi i infrastrukturës së mirë, realizuar kjo nga shteti Gjerman, përfundon në Qafën "Shtegu i Dhënve" dhe nga aty na ka mbetur dhe rreth 8-9 kilometra, por që përkthehen në 2 orë udhëtim, në një terren tepër të vështirë malor, që të japin sinjalin që të mos kthehesh më në këto anë ( të paktën me dëshirë). Zbritja bëhet me mjete të larta e të përshtatshme , të cilat e përballojnë rrugën e vështirë, ndërsa tek-tuk ndeshemi me ndonjë banor të zonës, që ka dalë për të kullotur gjënë e gjallë, ndërsa më e keqja është se,  nëse përballemi me ndonjë mjet në ngjitje, domosdoshmërisht duhet të ecë mbrapsht, për të gjetur ndonjë shteg të mundshëm që të shkëmbehen dy mjete. Mes vështirësive të terrenit të thepisur zbresim në fshat, teksa na shfaqen para syve shtëpizat alpine , të veshura me gurë,  e  disa prej tyre të përshtaura për të pritur vizitorë, prenotimi i të cilave kryesisht lipset  të realizohet  para mbërritjes në fshat. Në hyrje na pret i zoti i shtëpisë ku kemi vendosur të qendrojmë, M'hilli Carku, një mesoburrë rreth të 50-tave, që ka dalë në oborr së bashku me familjen, me në krye Nënë Loken. Pasi na ftojnë të hyjmë në shtëpinë  e tyre, dashamirësia e respekti prej malësori është mëse e dukshme dhe ashtu si e do zakoni nga këto anë. Vijojmë aventurën tonë drejt qendrës së Thethit, një fshat me rreth 30-40 shtëpi të banuara, që mbahen në këmbë nga kthimi i banorëve përgjatë stinës së  verës, pasi të pakët janë ata që vijojnë të jetojnë aty. Dimri i gjatë dhe i ashpër, por dhe pamundësia për të zhvilluar një jetesë normale, në këtë zonë të thellë malore, i ka detyruar banorët e kësaj zone të largohen jashtë vendit apo në drejtim të qendrave urbane të vendit tonë. Duke pyetur e biseduar me banorët që ndeshemi gjatë udhëtimit tonë, tashmë në këmbë, mësojmë se emërtimi i Thethit vjen nga shprehitë  “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, “…në thepa…”, “…thepa…” e të tjera. Në këtë fshat ka shumë vende që emërtohen dhe rreth fjalës “thep-a, -i, -at” si : “Thepi i Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës” e të tjera. Në kuptimin që emërton fjala “kuj” (kunj) pothuaj është shumë e përafërt me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka më shumicë, p.sh. “Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, ‘Kuji i Nenave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave” etj.  Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Ogoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Në  qendër të fshatit, ndodhet Kisha, çka dëshmon besimin e krishtertë që predikohet në këtë zonë ndër shekuj, ndërsa prifti vjen aty njëherë në muaj, pasi jeton në Shkodër. Disa godina janë shembur, duke u kthyer në gërmadha, të tjera janë ndërtuar për tu shfrytëzuar për turizëm, ndërsa gjelbërimi në këto ditë shtatori është në kulmin e tij, ndërsa syri na ndeshet edhe me ndonjë gjethe të zverdhur, që na paralajmëron ardhjen e vjeshtës së artë. Kumbulla të egra, arrë, shkurre të larta e të ulëta, ndërsa në mes gjarpëron uji, që i shton bukurinë natyrës së Thethit piktoresk, të mbushin me ajër të pastër dhe syri nuk ngopet së pari . Ndërsa udhëtojmë  në këmbë , rrugës ndeshim dhjetëra turist, kryesisht të huaj që shkojnë e vijnë drejt destinacionit të radhës së këtij udhëtimi, "Syri i Kaltër", i cili ndodhet në zbritje të Thethit, sapo kalon kanionin e Grunasit.  "Syri i Kaltër" është formuar nga grryerja e shkëmbit nga uji që zbret nga Lumi i Zi, ndërsa gjatë rrugës duhet patur parasysh që të ndjekësh shenjat që kanë lënë banorët mbi shkëmbinjtë anësorë. Pasi shijojmë për pak orë qendrimi yt, nisemi drejt Ujvarës së Grunasë, një tjetër dëshmi e prekshmë e pasurisë ujore të Thethit. Ujvara e Grunasit, ndodhet në shpatin perëndimor të luginës së Thethit në Alpet Shqiptare. Nis në rrëzën perëndimore të majës së Boshit, ku formon një lug të ngushtë nëpër një shpat gëlqeror, pastaj uji bie menjëherë në një greminë 25 m të thellë. Në rrëzën e greminës është formuar një pellg, prej të cilit uji derdhet në luginën e Thethit, tek fillimi i kanionit të Grunasit. Gjithë shpati ku thyhen ujërat e kësaj ujëvare është i mbuluar nga një pyll i dendur ahu dhe rreth e rrotull bien stërkala. Ujëvara e Grunasit me mjedisin e saj, përbën një nga dukuritë e rralla të Alpeve Shqiptare dhe prandaj është një pikë e rëndësishme turistike dhe monument natyre. Edhe aty, vizitorë të shumtë vijnë nga Austria. Gjermania, Polonia etj., të cilën shprehen të mrekulluar nga ajo që ofron natyra në Theth. Resurse natyrore të papërsëritshme që zgjojnë kureshtjen e vizitorëve të huaj, ndërsa sipas banorëve,  gjermanët kanë nisur interesimin për ta mërrë në menaxhim Thethin, me qëllim kthimin në një destinacion kryesor të turizmit malor në vendin tonë. M'hilli,  që vazhdon na shoqëron në të gjithë këtë udhëtim, tregon se "qeveria gjermane ka realizuar një sërë investimesh në këtë zonë. Duke filluar që nga shtrimi me asfalt i rrugës që nga Boga deri në afërsi të Qafës "Shtegu i Dhive", më tej ka lidhur rrjetin e ujit të pijshëm, duke e rikonstruktuar tërësisht atë, ndërtmine e shkollës 9 vjeçare të fshatit Theth, ndërtime urash lidhëse, të cilat i kanë lehtësuar sado pak jetesën banorëve por edhe vizitorëve të shumtë në këto anë. " Mesa dimë ne, gjermanët janë të intresuar për ta menaxhuar zonën e Thethit, por nuk di ta them në çfarë niveli kanë shkuar këto propozime", shprehet më tej ai narratori ynë, M'hilli. Por,  përveç pasurive të shumta natyrore të Thethit, vlerat historike janë një tjetër element i rëndësishëm i zonës, që zgjojnë kuriozitetin e turistëve. Ndalesa e radhës ështëe për te Kulla e Ngujimit (Pajtimit), që në dëgjim të parë të këtij emërtimi të shkon në mendje sikur aty ka njerëz të ngujuar, por jo më tashmë…Fortesa tre katëshe, e cila ndodhet bnë jug të fshatit Theth, dikur përdorej nga i gjithë fshati, ndërsa sot shërben si vlerë turistike dhe e viztueshme për të gjithë kureshtarët. Sokol Koçeku(nipi i Zef Koçekut, personi i fundit që ka zbatuar në këtë kullë Kanunin e Lek Dukagjinit, 1 shekull më parë) është mikpritësi dhe narratori i historisë së kësaj Kulle.

 "Kjo Kullë ka patur një rol rregullator në Theth, si janë sot Gjykatat, që e kanë humbur rolin e tyre parësor, pasi ku hyn leku, ik burrëria, prandaj dhe nuk ka më funskion kjo kullë. Kur ka ndodhë që janë vra malësoret mes veti, (për fat të keq kjo ka ndodh!), atëherë fiset e këtyre personave  kanë ra në gjak! Fill mbas vrasjes janë thirr' pleqtë njohës dhe zbatues të Kanunit të Lekë Dukagjinit… Pasi pleqtë, infromoheshin si qysh tek, për faj të kuj' ka ndodh kjo vrasje, sillej këtu, i çarmatosur, personi që ka ba vrasjen, i shoqëruar me roja te kjo Kulle ku është mbajt' i mbyllun, është marrë në pyetje nga pleqtë,  si e qysh ka ndodhë vrasja! Ai që ka kryer vrajsen është mbajt pastaj aty në Kulë,  derisa Pleqnia kanë dalë me vendim të pleqnuar mirë! … Kishin disa djem të zgjedhur për trimëri që ishin roje aty te ajo Kulle! Po ata djem ishin ata qe benin shoqeromin e atij qe kishte bêre vrasjen deri te Kulla!… Pra Kulla e Ngujimit ka pase luajte rolin e Paraburgimit të sotëm, Pleqtë luanin rolin e Gjykatësit,  kurse djelmnia që bante roje luajte rolin e policisë! Në Odën e Kullës silleshin burrat e familjes  së të vrarit! Pastaj,  në praninë e tyre sillej një foshnje djalë, në djep dhe djepin e vendosnin përmbys me foshnjën me krye poshtë! Fëmija në djep nuk mund të rrijë gjatë ashtu,  krye poshtë dhe mbas pak kohe nëse nuk sillet mbarë foshnja vdes!?…”O Filani!”-i thonin pleqtë të afërmit të të vrarit, ”A po e fal këtë kërthi a po e len me vdekë!?”…E rrinin të gjithë në ankth duke pritë çka do thoshte plaku i palës së vrarë!…, nëse e falnin djepi ngrihej, e në të kundërt…..", vijon tregimin rrënqethës, që të kthen e zhyt në kohë pas, Sokol Koçeku, trashgimtar i Kullës. "Vetëm gratë e shtëpisë ishin të lira të dilnin e të punonin pak tokë para kullës, pasi femrën nuk e lejonte Kanuni për t'i marrë jetën, pasi ishte ajo që të sjell në jetë. Femra është respektuar e vlerësuar shumë në këto anë, sidomos kur ajo vinte me fishek në pajë, që dëshmontë se vinte nga derë e mirë dhe e respektuar", mbyllet rrëfimi rrënqethës i Sokolit, tani që kjo Kullë shërben si atraksion turistik dhe jo më për të përcaktuar fatin e jetës së banorëve të kësaj ane. Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të medha turistike…. Dhe pasi, pijmë kafen e fundit të qendrimit disa orësh në Theth, rinisim rrugën e vështrië, por me pamje mahnitëse të kthimit…me dëshirën dhe shpresën e madhe, që turizmi malor, do të kthehet në vëmendjen e qeverisë, për të përmirësuar infrastrukturën, dhe jo për t'ua dorëzuar "gjermanit"… 

E.D. /Gazeta Bulevard"