Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se tarifat për makinat dhe kamionët që importohen nga Bashkimi Evropian do të rriten në 25%, duke filluar nga java e ardhshme.

Sipas tij, ky vendim vjen si pasojë e mosrespektimit të kushteve të një marrëveshjeje tregtare nga ana e BE-së. Në një deklaratë publike, Trump theksoi se masa është e justifikuar dhe në përputhje me marrëveshjet ekzistuese mes palëve.

Ai shtoi se kompanitë evropiane që zgjedhin të prodhojnë automjete brenda territorit të SHBA-së nuk do të përballen me tarifa, duke nxitur kështu investimet në industrinë vendase. 

“Kam kënaqësinë të njoftoj se, bazuar në faktin se Bashkimi Evropian nuk po i përmbahet Marrëveshjes sonë të Tregtisë të dakordësuar plotësisht, javën tjetër do të rris tarifat e ngarkuara ndaj Bashkimit Evropian për makinat dhe kamionët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Tarifa do të rritet në 25%. Është plotësisht e kuptueshme dhe e rënë dakord që, nëse ata prodhojnë makina dhe kamionë në fabrikat e SHBA-së, nuk do të ket1% tarifë. Shumë fabrika automobilash dhe kamionësh janë aktualisht në ndërtim e sipër, me mbi 100 miliardë dollarë të investuara, një rekord në Historinë e Prodhimit të Makinave dhe Kamionëve. Këto fabrika, të pajisura me punëtorë amerikanë, do të hapen së shpejti – Nuk ka pasur kurrë diçka të ngjashme me atë që po ndodh në Amerikë sot! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje. Presidenti DONALD J. TRUMP”, shkruan ai.