*Një vështrim kritik për luftën midis Çezarit e Pompeut të zhvilluar në tokën tonë
Në sistemin edukativo-stërvitor për përgatitjen ushtarake dhe në procesin mësimor-shkencor të kuadrove, që kryhet sipas shkencës ushtarake dhe Artit Ushtarak, një vend të caktuar zë edhe njohja e historisë së artit ushtarak në përgjithësi, e historisë së artit ushtarak të popullit shqiptar në veçanti, në këtë kuadër, edhe historia e artit ushtarak të luftërave të zhvilluara midis ushtrive të vendeve të huaja në tokën shqiptare. Si kudo edhe në fushën e studimit të teorisë e të praktikës të historisë së artit ushtarak ne nisemi nga parimi se duke mësuar luftën moderne s’na bëjnë keq të njohim edhe të vjetrat dhe të bëjmë disa herë nga ndonjë analogji që mund të na vlejë.
Nisur nga ky mësim, në këtë shkrim do të ndalemi në një nga luftërat e zhvilluara ndërmjet ushtrive të huaja në tokën tonë, siç ishte ajo midis Cezarit e Pompeut në vitet 49-48 para erës sonë.
Aty nga vitet 231 para erës sonë në Iliri sundonte mbretëresha Teuta, një grua që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Ilirisë, pasi u përpoq shumë për bashkimin dhe zhvillimin e mbretërisë ilire. Por përpjekjet e saj nuk pëlqeheshin përtej Adriatikut. Romakët, duke qenë në kulmin e fuqisë së tyre dhe të nisur nga parimi grabitës “përça e sundo”, nuk mund ta shikonin me sy të mirë një veprim të tillë. Prandaj kërkuan një shkak për të ndërhyrë e mandej të shtriheshin në Lindje. Kështu, kur ilirët rrethuan ishullin Isa (Dalmaci) romakët i shpallën asaj luftë. Teuta, si grua e zgjuar, manovroi në rrugë të ndryshme dhe, për një farë periudhe, fitoi diçka të përkohshme, por më në fund romakët e pushtuan tërë bregdetin ilir. Luftimet që u zhvilluan ndërmjet Romës së Vjetër dhe ilirëve, sidomos gjatë bregdetit e shndërruan Ilirinë në provincë romake. Por sundimi shumëshekullor romak nuk mundi të shuajë traditën luftarake, karakteristikat etnike dhe morale të ilirëve (sidomos të asaj pjese që banonin në zonat malore), për të jetuar si popull i pavarur. Por kjo gjendje nuk i pengonte romakët që ta përdorin tokën e Ilirisë si kryeurë për luftëra të tjera pushtuese siç ishin p.sh., gjatë viteve 214-197 kundër Maqedonisë etj. E kësaj natyre ishte edhe lufta midis Cezarit e Pompeut, (dy gjeneralëve të famshëm të Romës së Vjetër).
Më përpara le të njihemi shkurtimisht me situatën politiko-ushtarake para ndeshjes së dy ushtrive të prira nga Cezari e Pompeu.
Mbas fitores në Gali popullariteti i Cezarit, si udhëheqës ushtarak, u rrit së tepërmi. Prandaj në kushtet kur në Romë kishte shpërthyer kriza dhe zhvillohej lufta për sundimin politik midis dy partive (grupeve) kryesore dhe që rrezikonin Republikën Romake, Senati, për të mënjanuar rrezikun vendosi të mos ia zgjasë më Gai Jul Cezarit afatin e pushtimit mbi Gali. Ai mori vendim të shpërndaheshin legjionet e tij dhe, duke i dhënë Gnei Pompeut pushtet të gjithanshëm për të rivendosur rregullin gjatë kësaj krize politike, e kundërvuri me Cezarin. Në atë kohë Cezari sundonte Galinë dhe Ilirinë, ndërsa Pompeu kishte pjesën më të madhe të Italisë dhe Spanjën. Kështu filloi në Romë, rreth viteve 50-49, dhe vazhdoi në vende të huaja deri në vitin 15 para erës sonë, ajo luftë e gjatë që mban emrin, Lufta civile e Romës, për të cilën F. Engelsi do të shkruante: “Lufta zhvillohej midis dy grupeve skllavopronarësh. Në krye të njërit prej tyre ishte Pompeu, – në krye të tjetrit Cezari. Që të dy synonin të vendosnin pushtetin e tyre absolut”.
Cezari ambicioz, në kundërshtim me vendimin e senatit nuk e shpërndau ushtrinë, por nga Galia kapërceu lumin Rubikon, hyri në Itali dhe u vu në ndjekje të Pompeut, i cili nuk pranoi ndeshje, por u tërhoq dhe, si ngarkoi legjionet e veta në flotën detare, kaloi në Iliri. Cezari e ndoqi kundërshtarin deri në Brindisi. Këtu ndaloi për një kohë deri sa të ndërtonte flotën detare për të kapërcyer Adriatikun. Prej këtej, Cezari u drejtua në Spanjë për të likuiduar ushtrinë pa komandant të Pompeut.
Fitoret kundër legjioneve të Pompeut në Spanjë i siguruan Cezarit kushtet politiko-ushtarake për t’u kthyer tani nga perëndimi në Lindje, përtej Adriatikut, që të ndëshkonte Pompeun e larguar në Iliri. Pompeu, në Iliri, grumbulloi një ushtri e një flotë të fortë dhe mbasi fitoi (i ndihmuar edhe nga tradhtia) në disa ndeshje kundër dy ndihmësve të Cezarit, që ishin në Iliri, mbeti zot i saj duke i kushtuar vëmendje përgatitjeve për luftërat e ardhshme. Kësisoj pjesa perëndimore e Gadishullit të Ballkanit, Iliria, do të ishte teatri kryesor i veprimeve luftarake ku do të përlesheshin dy forcat kundërshtare politiko-ushtarake romake, ndërsa Durrësi do të ishte arena e luftës historike midis Cezarit e Pompeut.
Kalimi i Adriatikut nga legjionet e Cezarit dhe përpjekja për iniciativën në shkallë strategjike përbëjnë periudhën e dytë të luftës midis Cezarit e Pompeut.
Përpara fillimit të luftës midis Cezarit e Pompeut në tokën ilire përbërja dhe aftësitë luftarake të dy palëve, mbështetur në të dhëna të historianëve, paraqitej afërsisht: Pompeu arriti të grumbullonte 9 legjione (me nga 5000-6000 vetë secili), dispononte 7000 kalorës dhe rreth 3000-4000 shtizarë e hushtetarë. Shumë nga këto legjione të Pompeut ishin kompletuar me rekrutë të pastërvitur dhe pa përvojë luftarake. Po rëndësi pati fakti se ai ndërtoi një flotë të fuqishme prej 500-600 anije lufte, me të cilën sundonte pjesën lindore të Mesdheut dhe, mbasi e përhapi gjatë bregdetit lindor të Adriatikut nga Epiri në Iliri, e përqendroi sidomos në Greqi, ku kishte porte të fortifikuara, rezerva ushqimore dhe garnizone të fuqishme. Me këto masa ai u bë zot i detit. Forca e Pompeut arrinte rreth 60.000 veta, nga të cilët 45.000 ishin këmbësorë. Udhëheqësi i kësaj ushtrie, Pompeu, ishte një gjeneral i dëgjuar, por karakterizohej nga plogështia, hezitimi; megjithëse gjithmonë ka pasur ushtri dhe flotë më të madhe se të Cezarit.
Cezari, si siguroi sundimin në pjesën perëndimore të pellgut të Mesdheut, urdhëroi që forcat e tij prej 28 legjione të bashkoheshin në Brindizi. Këtu, në muajt e fundit të vitit 49 p.e.r, gjeti të grumbulluara vetëm 12 legjione dhe 10.000 kalorës. Por duke marrë parasysh pakësimin e numrit të trupave nga luftërat e shumta dhe udhëtimet e gjata, dhe meqenëse nuk gjeti numër të mjaftueshëm anijesh (siç kishte urdhëruar), la në Brindizi një pjesë të forcave, gjithçka që e pengonte dhe, si u foli trupave me atë gjuhën e tij bindëse (Cezari kishte aftësi t’u fitonte zemrat ushtarëve) se ky udhëtim e kjo luftë do të ishte e fundit për të dalë përfundimisht ngadhnjimtarë, mundi të hipë në 100 anije transporti dhe në 12 anije luftarake rreth 26.000 këmbësorë dhe 700 kalorës. Cezari kishte fituar popullaritet si prijës ushtarak, efektivi i tij ishte më i kalitur, më i stërvitur në luftë dhe në marshime të gjata, por furnizimi i tij në Iliri e Greqi ishte i vështirë, sepse rrugët detare i zotëronte flota e Pompeut.
Duke i gjykuar me rezervë këto të dhëna të tjera historike del se nga pikpamja sasiore, siç e ka pohuar edhe vetë Cezari, Pompeu kishte epërsi, ndërsa nga pikpamja cilësore epërsia e Cezarit ishte e padiskutueshme. Kështu, p.sh, në sasinë e përgjithshme të forcave raporti paraqitej 2,3:1, në këmbësori 1,7:1 dhe në kalorësi 10:1 gjithmonë në favor të Pompeut. Në mjete lundruese epërsia e Pompeut ishte gati absolute. Me një plus kaq të madh sa ishte gjendja e forcave në tokë e det, mund të plotësohej, deri diku, minusi cilësor dhe, për rrjedhim, Pompeu si strateg ushtarak, mund të ndërmerrte ndonjë veprim luftarak e të mos rrinte në pritje, d.m.th. duhej t’i binte (ta sulmonte) Cezarit pa i dhënë kohë e rast që ky të rriste numrin e forcave. Në rast se Pompeu e mësynte me këtë raport fillestar forcash, Cezarit mund t’i hiqej mundësia e krijimit të kryeurave (vatrave) të veçuara të zbarkimit, të cilat nuk mund të bashkoheshin më vonë. Kjo pritshmëri e panevojshme dhe pasive në historinë e artit ushtarak gjithmonë është kritikuar dhe është quajtur si një akt paaftësie dhe plogështie. Pikërisht sepse nuk u sulmua as në det dhe as sapo zbarkoi Cezari, raportin e mësipërm sasior të forcave e zbuti më vonë kur i erdhën përforcimet (skalioni i dytë) që la në Brindizi. Në shqyrtimin e situatës dhe të raportit të forcave, duhen mbajtur parasysh edhe aftësitë e Cezarit e të Pompeut si udhëheqës ushtarakë, vlerësimet, vendimet dhe drejtimet e të cilëve do të ndikonin, në disa raste, në mënyrë vendimtare në rrjedhën e ngjarjeve, për fitore ose për humbje. Kështu, p.sh., Marksi ka shfaqur mendimin se “Cezari bënte gabime shumë të mëdha ushtarake, qëllimisht absurde për ta ngatërruar filistinin (Pompeun-N.Z.) që kishte përballë. Cilido prijës ushtarak i rëndomtë romak, për shembull Krasi, do ta kishte shpartalluar nja gjashtë herë Cezarin gjatë luftës së Epirit. Por me Pompeun gjithçka ishte e mundshme”.
Në këto kushte politike dhe në këto situata të dyanshme ushtarake, do të fillonte periudha e dytë, etapa vendimtare e Luftës Civile në Romën e Vjetër. Duke krahasuar mendimet e historianëve dhe studiuesve ushtarakë, për ta kuptuar më mirë nga pikëpamja e historisë së artit ushtarak, këtë luftë do ta trajtojmë sipas fazave.
1. Veprimet për kalimin e detit Adriatik
Cezari për kalimin e detit dhe për zbarkimin në bregun lindor të Adriatikut, duhet të ketë pasur parasysh dy momente kryesore: së pari, drejtimin e lëvizjes dhe vendin e zbarkimit; së dyti, kohën dhe kushtet meteorologjike të lundrimit për zbarkim. Për vijë dhe vend zbarkimi ai zgjodhi drejtimin Brindizi-Palastë (Palasa), rrëzë masivit shkëmbor të maleve Keraune (Himarë), si drejtim më i shkurtër për të dalë në Greqi, ndonëse jo fort i sigurt nga goditjet e flotës së Pompeut të ankoruar në Korfuz dhe Orikum (Vlorë) në rast se zbulohej, megjithëse kundërshtari e përjashtonte atë vend për zbarkim.
Në zgjedhjen e papritur të këtij drejtimi e të këtij vendi, mund të gjykohet edhe nga pohimi i vetë autorit të këtij plani, Jul Cezarit, në komentarin (ditarin) e tij “De bello civile”, (Mbi luftën civile) nga ku rezulton: “Ndërmjet shkëmbinjve të maleve Keraune (Himarë-N.Z.) dhe të vendeve të tjera të rrezikshme (Cezari-N.Z.) gjeti një gji të qetë dhe duke pasur frikë nga tërë limanet, që ai kujtonte se i kishin në dorë armiqtë, pa humbur asnjë anije, zbarkoi prej tyre ushtarët në atë vend që quhet Palastë”. Drejtimi i dytë Brindizi-Iliri ishte më i favorshëm dhe më i sigurt prej goditjeve të flotës së Pompeut, por ishte më i gjatë për të shkuar në Greqi dhe mund të humbiste në kohë e në befasi.
Përcaktimi i drejtimeve dhe vendeve të zbarkimit duhet të jetë bërë në lidhje të ngushtë me stinën dhe kushtet meteorologjike kur do të realizohej zbarkimi. Fakti, siç konstatojnë historianët, se në Detin Adriatik para erës së jugut, që shkakton stuhi detare (në afate të shkurtra), fryn era e veriut dhe deti bëhet relativisht më i qetë, nëpër të cilin në ato shekuj nga Italia në Greqi mund të kalohej për 12-15 orë – e bindën Cezarin që të vendosë e t’i shfrytëzojë këto kushte. Zgjedhja e ditëve me mot të keq të stinës dimërore (mendohet në fillim të vitit 48 p.e.r.) do të ishte një akt i papritur, i befasishëm për forcat dhe flotën e Pompeut. Këtë vlerësim të situatës dhe këtë plan ndërtoi Cezari, sepse çdo shtytje e zbarkimit do t’i jepte kohë për përgatitje Pompeut dhe nuk mund t’i siguronte befasinë. Një gjykim dhe një veprim i tillë në historinë e artit ushtarak mund të merret dhe si një fakt që befasia plotëson numrin më të pakët sasior të forcave, siç ishte rasti i Cezarit me Pompeun.
Pompeu, nga ana tjetër, duhet të ketë menduar se, në kushtet e dimrit dhe kur Cezari nuk kishte mjete të mjaftueshme detare për transportimin e tërë legjioneve, zbarkimi dhe veprimet aktive mund të priteshin nga pranvera e vitit të ardhshëm (48 p.e.r). Këtë pauzë dimërore Pompeu do ta shfrytëzonte për të forcuar e stërvitur ushtrinë e tij të re, që t‘i kundërvihej i përgatitur Cezarit. Nga ky vlerësim i njëanshëm duhet të kenë rrjedhur edhe pasojat e tjera në radhët e forcave të tij. Kështu flota u mblodh në portet e Korfuzit e të Orikumit (Vlorë) dhe ra në një qetësi të pafalshme. Në këtë mënyrë ky bregdet (i Himarës) nuk ruhej me aq kujdes nga detarët e Pompeut, sepse edhe nuk guxonin të rrinin për një kohë të gjatë larg limaneve të përhershme. Kjo shkujdesje do të pasohej edhe në tokë. Ushtria nuk u mbajt siç qe rregulli, e përqendruar në fushim, por u shpërnda në kazerma dimërore, në rehati. Vlerësimet e gabuara të Pompeut dhe veprimet që u kryen, ulën vigjilencën dhe dobësuan gatishmërinë. Pikërisht këto mungesa të kundërshtarit i shfrytëzoi për bukuri Cezari duke realizuar zbarkimin kur Pompeu nuk e priste.
Flota e Cezarit gjatë lundrimit, për arsye të kushteve të këqija të motit, pati një farë copëtimi, por edhe kjo rrethanë, ndonëse u zbulua, nuk u shfrytëzua nga flota e Pompeut për ta goditur atë pjesë-pjesë. Komandanti i flotës së Orikumit hezitoi të godasë, nuk guxoi të rrezikohej në këtë luftim natën (kalimi i Adriatikut u bë natën dhe në mesditën e së nesërmes u bë zbarkimi në Palasa-Himarë), kurse komandanti i flotës në Korfuz nuk pati kohë të bashkonte fuqitë e veta që ishin në shthurje. Pra kur Pompeu nuk arriti ta shfrytëzojë këtë shans që iu dha në det në një situatë kur me 500-600 anije, si zot i detit, dhe kur në dy portet e mësipërme kishte, përkatësisht, nga rreth 20 dhe 110 anije, ai mund t’i shkaktonte Cezarit një disfatë qysh në det.
Cezari sapo zbarkoi rreth gjysmën e trupave (skalionin e parë) i ktheu anijet në Brindizi për të mbartur trupat e tjera që kishin mbetur atje (skalionin e dytë). Ky mendim e veprim i Cezarit ishte një zgjidhje e mundshme, pavarësisht se anijet e tij, gjatë kthimit, u goditën nga flota e Korfuzit, komandanti i të cilit, duke qenë i gënjyer dhe i zemëruar nga radha e parë, kishte dyfishuar rojet në det. Goditja e anijeve të Cezarit gjatë kthimit nga anijet e Pompeut, duhet quajtur i drejtë sepse ky veprim, ndonëse me vonesë, përsëri i shkaktoi Cezarit dëme të rënda, siç ishin humbja e një mase të madhe anijesh, që ia preu Cezarit ndihmën e shpejtë dhe e la pa ushqime, për një farë kohe, e që i priste me padurim nga Italia. Kjo i krijoi një farë shkëputjeje të dy pjesëve të ushtrisë dhe me një prapavijë shumë larg teatrit të luftës. Me ushqimet që gjeti në vend, ushtria e Cezarit vetëm mund të jetonte, por jo të luftonte.
Këto rrethana, që zgjatën disa muaj, Pompeu përsëri nuk i vlerësoi dhe të ndryshonte vendimin e mëparshëm për të nisur luftën kundër trupave të Cezarit të sapozbarkuar e që kishin pushtuar Orikumin, Gradishtin (mbi Vjosë) dhe Apolloninë (Pojanin) për t’i likuiduar pjesë-pjesë dhe për të mos i lejuar të bashkoheshin në një kryeurë të vetme të madhe, siç ndodhi më vonë. Ai ra në gabime të tjera të rënda, kur u kufizua me vendosjen fortësisht në Durrës dhe me ndonjë pengim të pjesshëm e të parëndësishëm që i bëri Cezarit.
Nga analiza e kësaj faze del se në sferën e artit ushtarak Pompeu u dha veprimeve luftarake kryesisht karakter mbrojtës e pasiv dhe nuk ndërmori asnjë masë vendimtare me karakter mësymës. Pikërisht ky gabim, nënvleftësimi i mësymjes dhe mbivlerësimi i mbrojtjes, i dha mundësi Cezarit të zgjerojë kryeurën fillestare duke u shtrirë tashmë në një brez bregdetar prej Himare gati deri në Durrës. Kjo rritje e kryeurës e bëri Cezarin më pak të prekshëm dhe i dha mundësi të zbarkonte trupat e tij në disa pika.
2. Veprimet para ndeshjes në Durrës, skema nr. 1
Pompeu refuzoi bisedimet për paqe (armëpushim) dhe me shpejtësi përqendroi trupat e u mbyll në Durrës, ku mbriti edhe vetë me shpejtësi nga Thesalia e Greqisë. Pozita strategjike që zinte Dyrachiumi (Durrësi) në Adriatik dhe në bregdetin ilir shërbente për të dy palët si një bazë nevralgjike. Kundërshtarët synonin Durrësin sepse ky ishte qyteti dhe porti më i afërt për romakët për të shtrirë pushtimet në drejtim të Lindjes, por edhe në drejtim të perëndimit. Pra Durrësi për Romën e Vjetër përfaqësonte një nyje lidhëse strategjike. Nëse për Pompeun Durrësi shërbente për të ndaluar hovin e Cezarit, për Cezarin Durrësi ishte kryeura kryesore për të hyrë në thellësi të tokës ilire, në Maqedoni, në Epir e më tutje. Durrësi, në ato vite, ishte i fortë dhe i siguruar me gjithçka për luftë, si ushqime, municione, armë dhe flori. Durrësi, siç thotë Lukiani (historiani romak – N.Z), është jo një vepër dore, por një fortesë natyre, e vendosur mbi shkrepa aq shumë të lartë sa që lundronjësit kur e shikojnë së poshtmi lartësinë e mureve, mbeten gojëhapur jo vetëm nga një farë admirimi, por edhe nga frika e rrezikut. I rrethuar nga deti ai bashkohet me tokën kontinentale nga njera anë, ku është kodrina me shkrepa të thepisura. Këndej ka një liman fort të sigurt dhe të përshtatur, andej fusha shumë


