Një shqiptar 38-vjeçar nga Mali i Zi, është arrestuar nga autoritetet vendase si i dyshuar për pjesëmarrje në luftën në Siri në krah të ISIS-it.

Mediat vendase i referohen një deklarate të shpërndarë nga policia e malazeze, sipas së cilës, bëhet fjalë për shtetasin me origjinë shqiptare, Hamid Beharovic, nga Ulqini, i cili u arrestua të enjten në aeroportin e Podgoricës, nën shoqërinë e bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur. Sipas autoriteteve malazeze, Beharovic është prej më shumë se një viti pjesë e organizatës terroriste.

Shtypi vendas thotë se ky është rasti i parë i një shtetasi malazez, që rreshtohet në krah të ISIS-it. Drejtoria e policisë malazeze sqaron se po punon për mbledhjen e provave, pasi dyshon edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Beharovic është me origjinë shqiptare dhe familja e tij jeton në Ulqin. Mësohet se ai ka kaluar disa kohë në emigracion dhe konkretisht në Gjermani nga ku edhe dyshohet se ka rënë në kontakt me grupet terroriste.