Nijas Lena paralajmëron Kukësin të ketë kujdes në ndeshjen e radhës ndaj Teutës. Mesfushori shqiptar nga Maqedonia i cili në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar ishte pjesë e Djemve të Detit, edhe pse përcolli optimizëm për një sukses të mundshëm të verilindorëve ndaj durrsakëve theksoi se Teuta është një skuadër e vështirë.

Lena, i cili është bashkuar me Kukësin në merkaton e kesaj vere shtoi gjithashtu se skuadra e Ernest Gjokës do të japë maksimumin për të arritur fitoren e parë sezonale dhe për ta kthyer në festë ndeshjen e kësaj të hëne në Zeqir Ymeri. Edhe pse nuk arriti të fitonte në sfidën e javës së parë ndaj Vllaznisë, sipas Lenës, Kukësi nuk caloi në atë takim por i mungoi vetëm goli.

Në garën për titull, 30-vjeçari nga Struga vlerësoi Partizanin dhe Skënderbeut si dy rivalët më të mëdhenj të Kukësit. Pasi punoi me të te Flamurtari, tashmë Lena ka mundësinë të stërvitet sërish nga një trajner si Ernest Gjoka. Mesfushori foli me superlativa për Gjokën duke shtuar se ai personalisht por edhe të gjithë futbollistët e Kukësit do të bëjnë më të mirën e tyre për t'i dhënë kënaqësinë trajnerit të fitojë një tjetër trofe pas Kupës së Shqipërisë me Flamurtarin dhe Superkupës me Kukësin.