*Vangjush Dako: Punimet nisin pas pak ditësh
Investimi madhor prej 6 milionë dollarësh i ndërtimit të sheshit në hyrje të portit detar të Durrësit, ritet të nisë në muajin tetor. Qeveria shqiptare ka lëvruar fondet për fazën e parë të punimeve ndërsa faza e dytë në vitin 2017, financohet nga buxheti i bashkisë së Durrësit. Investimi madhor është pritur me shumë kuriozitet nga qytetarët e Durrësit, për vetë gjetjet e tij arkitekturore.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, deklaroi se ky është një tjetër projekt madhor që do të shërbejë si shesh publik për qytetarët, por edhe do të tërheqë interesin e turistëve të huaj. Sipas kryebashkiakut Dako, investimi para portit “Veliera” është nga më të rëndësishmit sepse do të sjellë edhe zhvillim ekonomik, pasi është i lidhur me të gjithë investimet e tjera të shesheve që zhvillon pronën përgjatë gjithë këtyre akseve, ndërkohë që vitin e ardhshëm do të fillojë edhe një tjetër investim madhor, ai i Pallatit të Drejtësisë.
PROJEKTI
Projekti është përgatitur nga studio e arkitekturës shqiptare ERALD -G + ARKONSTUDIO dhe një studio të njohur arkitekture nga Italia, ARCHEA. Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metra katror dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katror. Vlera e të gjithë këtij projekti do të jetë rreth 6 milionë dollarë.
Ajo që sot është veçse një vendkalim makinash i mbingarkuar nga trafiku dhe nga kalimi i pandalur i automjeteve, së shpejti do të kthehet një hapësirë për këmbësorin, për argëtimin dhe një pikëtakimi në ambient të hapur por e mbuluar. Për të simbolizuar idenë e komunitetit kontribuon një tendë e madhe guri e mbështetur mbi katër pika në mënyrë që të krijojë hije dhe mbrojtje për sheshin nën të, i cili nga ana e tij shërben si mbulesë e rrugës së automjeteve që do të jetë nën tokë në mënyrë që të eliminohet trafiku automobilistik. Pikëtakimi perpendikular i dy nga arteriet kryesore urbane do të shfaqet si një skenë natyrale për qytetin ku njerëzit mund të qëndrojnë, ku mund të organizohen shfaqe dhe evente, dhe ku konsolidohet dhe konkludon aksi i gjatë që të çon nga sheshi i Bashkisë për në det.
Forca e erës dhe e valëve ngre ne mënyrë metaforike një terren me gurë, dhe si një anije me vela e ankoruar në katër direkët e shumë anijeve imagjinare, fluturon mbi qytet drejt ujit. Kur bulevardi me palma do të jete i mbyllur nga trafiku, njerëzit mund të arrijnë nga qendra e qytetit ne shëtitoren përgjatë bregdetit (lungomare) pa kaluar rrugën e makinave, do të shohin sheshin e ri të mbuluar si një sfond i një skenari urban të ri dhe mbresëlënës në pritje që porti mund të hapet në të ardhmen për qytetarët, siç ka ndodhur në qytetet e tjera te Mesdheut, nga Genova në Barcelone. Tenda e madhe prej guri (e cila qëndron mbi shesh në një lartësi që shkon nga 4 në 18 metra dhe përbëhet nga një spesor që varion nga 30 cm në 4 m) synon gjithashtu të bëhet ikonë dhe imazhi i një Durrësi të ri, i cili projekton në botë ndërmjet konstruksionit një simbol të ri që lartëson kuptimin e pritjes, mikpritjes dhe të detit.
Teknikisht bëhet fjalë për një punë të guximshme dhe komplekse, sepse tenda është rreth gjashtëdhjetë metra e gjatë dhe dyzetë metra e gjerë, dhe mbështetet vetëm në katër pikat kulmore të përbëra nga po aq shufra të stabilizuar në inox celik, si direku i nje anije me vela, nga katër kavot te cilat të kujtojnë tamam litarët të perdorura në anijet me vela. Ashtu si përkulja e tendë-mbulesës edhe dyshemeja e sheshit nën të do të ketë një përkulje në mënyrë që të reduktohet gërmimi i nënkalimit dhe të ngjishet hapësira e sheshit deri në gropën qendrore. Ky i fundit jo vetëm përbën sistemin e kullimit të ujërave nga mbulesa në rast shirash, por përfaqëson edhe një lloj “Syri” që reflekton dritën e diellit duke riprodhuar në dyshemenë e mermertë, si tek Panteoni, fuqinë e dritës, pra të elementeve natyrorë.
Studio Archea është një network me rreth njëqind arkitektë, të cilët operojnë në gjashtë seli të ndryshme, në Firence, Milano, Romë, Pekin, Dubai, San Paolo. Ndër projektet më të spikatura në sektorin publik dhe privat cilësohen: Biblioteka Komunale e Nembros, Kantina Antinori në San Casciano Val di Pesa, Green Energy Laboratory për Universitetin Jiao Tong në Shanghai, Qyteti i Qeramikës në Li Ling (Hunan – Kinë), Kompleksi Rezidencial Colle Loreto në Lugano, Fasada e Stadiumit të Ri të Udines etj.
K.H.





