Nuk e kanë honepsur dot asnjëherë protagonizmin e skajshëm të De Biazit thuajse në çdo trevë shqiptare. Nuk e kanë kapërdirë dot që italiani, ndryshe nga Kuzhe apo ndonjë tjetër paraardhës, nuk ka qenë kryeulur karshi zyrtarëve të FSHF-së dhe skalionit të tyre. U ka pëlqyer rendimenti i tij, por vetëm kaq.
Ka qenë acaruese për ta që De Biazi nuk ka pyetur as se në cilën media do të flasë dhe as se me cilin sponsor do të bashkëpunojë. Dhe sinjalin e parë, edhe pse të kontestuar masivisht, ia dhanë pas kualifikimit në Europian. Menaxheri Alban Bushi pati deklaruar publikisht se merita ishte e Dukës, ndërsa zëdhënësja Dervishi deklaroi se Shqipëria i dha famën De Biazit.
Por kaq. Heshtën sepse e kuptuan se ishin në disfavor të plotë me reputacionin e asaj kohe. Dhe u zgjuan tani, sapo Kombëtarja mori një fitore të vuajtur dhe jo fort bindëse me lojë kundër Maqedonisë. Natyrisht, Dukës i lejohet edhe të shprehë ndonjë opinion apo qoftë edhe pakënaqësi kundrejt trajnerit të Kombëtares.
Por kur opinioni i tij është kritikë e hapur dhe kur deklaron se “Shqipëria fitoi vetëm nga Zoti”, atëherë lë të kuptohet se trajneri nuk ka bërë si duhet detyrën e tij. Edhe nëse do të kish mbaruar me kaq, nuk do të kish bërë përshtypje, por vartësi i Dukës, Ilir Shulku, e kritikon publikisht në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin emision trajnerin e Kombëtares.

Ai u fut deri edhe tek analiza taktike e skuadrës, dhe kjo lexohet natyrshëm si një “shuplakë” ndaj trajnerit, duke e paralajmëruar se nëse i rrëshqet këmba sadopak, duhet t’i bëjë mirë llogaritë. Më pas, falsitete të tipit “ky është mendimi im dhe nuk dua t’i bëj analizën trajnerit”, nuk e zhbëjnë sulmin kundrejt De Biazit.
Kishit frikë që pas Europianit do të kishte një lloj vështirësie, pavarësisht se rezultati i mbulon të gjitha?
Frikë jo dhe këtë e kam thënë edhe para djemve. Frikë nuk kemi asnjë, vetëm Zotin, por kemi respekt për kundërshtarin. Jo Shqipëria, por as ekipe edhe më të mëdha nuk mund të mendojnë kurrë se e kanë të fituar ndeshjen kundër një ekipi si Maqedonia.
Jam shumë i kënaqur që morëm tri pikë, por nëse nuk do t’i merrnim, analizat publike do të ishin shumë më të mëdha nga publiku, kurse ne nga brenda, megjithëse morëm pikët e plota, duhet të kemi shumë gjëra për të analizuar.
Që do të thotë se për disa momente keni mbetur në një dilemë të madhe…
Jo, i kishim të gjitha mundësitë. U parashikua shumë e vështirë, por pasi hymë në fushë nuk rezultoi sepse na doli një gol i shpejtë dhe kundërshtari ra në një lloj shoku psikologjik, të cilin ne duhet ta kishim shfrytëzuar dhe ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Pasi e lamë të marrë veten, i vështirësuam aq shumë gjërat, sa vetëm Zoti na ndihmoi për t’i marrë ato tri pikë.

Megjithatë, është një rrugë e gjatë dhe mbeten edhe nëntë sfida…
Edhe Lihtenshteini mbetet një kundërshtar i vështirë për ne, pasi është një ndeshje që duhet fituar. Skuadra si ne, që janë mësuar të ndërtojnë skuadra mbrojtëse, e kanë të vështirë që të ndërtojnë të tjera sulmuese. Në Lihtenshtein, duhet patjetër dhe më saktë e kemi obligim për të fituar tri pikë. Dhe, për ta realizuar atë, duhet shumë punë, shumë disiplinë dhe shumë djersë.
Ju e ndiqni Kombëtaren prej vitesh dhe e lexoni edhe taktikisht. A konstatoni “gropa”?
Nuk mund të bëj analiza teknike. Sipas mendimit tim, ekipi ynë ka marrë gjithmonë maksimalen e atyre që mund të merren me alternativat që kemi dhe me mundësitë që kemi. Pas lojës, patjetër që gjithkush mund të gjejë gabime. Edhe vetë trajneri gjen gabime tek ato që ka vendosur vetë.
Përtej batutës, por mes batutës dhe të vërtetës. Ju çfarë mendoni, a do të dalim të parët?
Jo. Është shumë e rëndësishme që të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Tashmë duhet ta harrojmë Maqedoninë dhe minutën e 89-të që na dha rezultatin. Duhet të korrigjojmë ato që kemi bërë keq, qoftë në përgatitje apo qoftë në prezantimin e ndeshjes së parë kualifikuese. Ne duhet të mendojmë vetëm një gjë: Lihtenshteinin.
E thashë edhe një herë, skuadra e ka obligim dhe të detyrueshme për të fituar. Pas asaj mendojmë për të tjerat. Nëse do flasim për bilancin e të gjithë grupit, realisht ka dy emra shumë të mëdhenj që për mua janë tre, së bashku me Izraelin. Dy shumë të mëdhenj, Italia e Spanja, dhe një të madh, Izraeli.
Duhet të bëjmë luftën tonë deri në fund, duhet të mos zhgënjejmë apo të mos bëjmë hapa falsë me këta që i konsiderojmë kundërshtarë direkt: me Maqedoninë dhe Lihtenshteinin. Dhe, në një lloj mënyre, në gjuhën e rëndomtë sportive, ‘çfarë të kapim, të kapim’ me këto të tjerat.

Ju thatë që duhet harruar Maqedonia, por a është harruar Franca?
Franca si kompeticion, apo Franca si ndeshje?
Europiani.
Nuk do të harrohet kurrë sepse është kompeticion historik!
E kam fjalën për atë simptomën e euforisë…
Shiko, fakti që skuadra është ndier shumë e madhe, apo lojtarët si të tillë e vështirësuan akoma më shumë përballjen me Maqedoninë. Aq më shumë, ndofta goli që shënuam shpejt na bëri euforikë. Sipas mendimit tim, ekipit iu duk sikur mund ta menaxhonte ndeshjen si të donte: mund ta mbyllte ndeshjen me 1-0, mund të shënonte kur të donte vetë.
Por, kundërshtari nuk të lejon. Ne e provuam që duke bërë ushtarin, arritëm suksese. Kështu që gjithmonë duhet të bëjmë ushtarin. Nëse nuk hyn ashtu, është e vështirë të bësh sukses. Në momentin që mendon se je i madh, atëherë e pëson më keq.

Dhe kjo, në momente të veçanta i ka dhënë indiciet…
Jo vetëm në skuadrën tonë, por në të gjithë skuadrat. Realisht, sot në futboll diferencat nuk janë kaq të mëdha. Kush bën çdo gjë mirë dhe që i bashkon të gjithë ato gjërat e vogla, por që bëjnë një të madhe, atëherë fiton. Për mua, duhet t’i përvishesh mirë punës që të të japë fryte.
Eksod?
Nuk mund të thuash që na vjen mirë për nga pikëpamja sportive që ata futbollistë që u përgatitën nga ekipet e moshave në Shqipëri dhe ne prisnim një lloj rezultati me ekipin A, vendosin për të luajtur për një kombëtare tjetër, shqiptare, le të themi. T’i kishim do të ishte më mirë, por gjithsesi, OK, do të kontribuojnë për Kosovën, sikurse ndofta ka ndodhur edhe e kundërta.
Futbollistët që janë aktualisht në ekip nuk kanë ndonjë plan për të lëvizur. Ndofta ato që lëvizën kanë menduar ose… kanë marrë hak për mospjesëmarrjen në Europian. Nuk duhet të ishte ky objektivi. Nëse vendimi i tyre ka qenë se e ndiejnë obligim për të kontribuuar për skuadrën e Kosovës, është vendim i drejtë. Nëse për hakmarrje, është gabim. /Panorama Sport/





