Shqipëria ka shumë gjasa të votojë presidentin e Federatës Sllovene të Futbollit, Aleksandër Çeferin, për president të UEFA-s më 14 shtator. Në teori nuk ka asgjë të keqe. Një vend ballkanik voton për një kandidat ballkanas me shpresën që ky i fundit të rrisë ndikimin e rajonit në arenën europiane dhe të garantojë investime të rëndësishme për zhvillimin.
Por kur bëhet fjalë për zgjedhje në futboll e aq më shumë për UEFA-n, asgjë nuk është normale dhe gjithçka është rrjedhojë e një lufte për pushtet që zhvillohet në prapaskenë, me aleanca që ndërtohen e prishen, të denja për një film Hollivudi. Në një betejë të tillë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka ndryshuar shumë shpejt aleanca dhe ka nuhatur përsëri palën fituese, duke iu bashkuar Rusisë, vendeve sllave dhe Xhani Infantinos, të cilët po shtyjnë gjithnjë e më shumë Çeferinin drejt “fronit” të UEFA-s.
Marrëveshjet, prapaskenat dhe premtimet
Në një artikull investigativ të publikuar nga “Josimar.no” shpalosen pak nga rrethanat që e bëjnë të sigurt zgjedhjen e Çeferinit në këtë post. Kandidatura e tij është hedhur nga vendet skandinave, më saktësisht Suedia, Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka, pas një mbledhjeje të fshehtë të organizuar në Milano në natën e finales së Ligës së Kampioneve, ku, me sa duket, këtyre vendeve u është premtuar organizimi i “Euro 2024” ose “Euro 2028”.
Ndërkaq, mendohet gjithashtu se presidentit të Federatës Suedeze, Karl Erik Nilson, i është premtuar një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s duke filluar që nga viti 2017. Që nga ai moment, edhe vendet e mëdha europiane filluan të mbështetnin kandidaturën e Çeferinit që në korrik, ndërsa dy rivalët e tij, Van Prag dhe Vijar, nuk kishin filluar ende fushatën për zgjedhjet e shtatorit.
Artikulli tregon se gjithçka bëhet nën orkestrimin e Xhani Infantinos, i cili sheh ish-avokatin Çeferin si njeriun e përshtatshëm për të mbajtur postin më të lartë drejtues të futbollit në Europë dhe ka shtyrë vendet skandinave të votonin për të. Ndaj nuk duket e rastësishme që FIFA emëroi sllovenin Tomazh Vesel si kryetar të Komisionit të Auditit dhe Përshtatshmërisë dy muaj pasi Infantino fitoi zgjedhjet për president.
Vesel dhe Çeferin kanë mbaruar studimet bashkë, kanë luajtur në të njëjtën skuadër amatore futbolli dhe banojnë në të njëjtën lagje. Komisioni në fjalë është ai i cili heton të gjithë zyrtarët e institucionit për shkelje, ndaj rëndësia e tij për të kontrolluar plotësisht FIFA-n është thelbësore.
Shqipëria dhe pakti rus
Ndonëse ishin vendet skandinave që propozuan Çeferinin, mbështetjen më të fortë ai e ka nga Rusia. “Josimar” raporton se Presidenti i Federatës Ruse dhe njëkohësisht ministër i Sportit në këtë vend, Vitali Mutko, ka qenë personi që bindi sllovenin të kandidonte, ndërsa për çështje imazhi u vendos që “vendet me demokraci shumë të zhvilluar”, ato skandinave, të ishin të parat që do ta mbështetnin atë publikisht.
Vetëm pesë ditë pasi katër vendet nordike deklaruan mbështetjen e tyre, Çeferin udhëtoi drejt Moskës, ku ai u takua me Mutkon dhe drejtuesit e federatave të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Qipros, Malit të Zi, Maqedonisë, Rumanisë, Serbisë dhe Turqisë. Të gjitha këto vende mësohet se i kanë premtuar mbështetje të plotë në takimin e organizuar nga Mutko.
Ky i fundit takohet shpesh me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Mutko është kryetar i Komisionit Organizator të Kupës së Konfederatave FIFA 2017. Një nga 11 anëtarët e këtij komisioni është edhe presidenti i FSHF-së. Ashtu si me vendet nordike, edhe në këtë rast janë bërë premtime specifike për mbështetësit e Çeferinit, por nuk dihet ende me saktësi se çfarë.
Tërhiqet “miku” Vijar
Teorikisht, Shqipëria duhej të kishte votuar për presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Angel Maria Vijar. Ky i fundit ka qenë disa herë në vendin tonë, ka mbështetur fuqimisht FSHF-në dhe u angazhua personalisht në momentet kur Armand Duka përballej me oponencën e shtetit shqiptar. Prania e tij si mbikëqyrës në votimet për president të FSHF-së në vitin 2010 ishte mbështetja më e fortë publike që Vijar i bëri kreut aktual të FSHF-së.
Dje, Vijar është tërhequr nga gara për president të UEFA-s, i çuditur se nuk ka pasur asnjë lloj mbështetjeje në Europë, ndonëse është ndër drejtuesit më të vjetër në kontinent dhe në dekadën e fundit ndër më të suksesshmit. “Miqtë e vjetër” me pak fjalë e tradhtuan spanjollin që do të mbetet zëvendëspresident në UEFA.
Aleancat fituese të Dukës
Kjo nuk është hera e parë kur Duka bëhet pjesë e një aleance fitimtare për të zgjedhur kreun e UEFA-s. Në janarin e vitit 2007, Duka ishte mes grupit të presidentëve që siguruan fitoren e Mishel Platinisë në zgjedhjet përballë Lenart Johansonit me rezultatin e ngushtë 27-23. Francezi më pas do të fitonte çdo zgjedhje në UEFA me aklamacion, pa kundërshtarë, vetëm me duartrokitje në sallë, një metodë që u “huazua” në zgjedhjet e fundit në FSHF./panoramasport/





