Pezullohet nga detyra drejtori i policisë së Lezhës, Dritan Lena.
Vendimi është marrë dy ditë më parë nga drejtori i policisë së Shtetit Haki Çako, me motivacionin ‘menaxhim të dobët të situatave në këtë qark’.
Mësohet se para një jave, Lena është pyetur në prokurori në cilësinë e personit që zhvillohen hetimet, pasi në prokurori është regjistruar një procedim penal për komisariatin nr. 4 në Tiranë në lidhje me situatën e kanabisit në zonën e Dajtit, ku Lena ka qenë shef.
Ai është emëruar në detyrën e kreut të Policisë së Lezhës në korrik të këtij viti, ndërsa më parë ishte Shef i Krimeve në komisariatin e policisë nr. 4 në Tiranë. Pasi fitoi gradën policore “Drejtues” me vendim të formës së prerë nga gjykata, u emërua drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë në Lezhë.





