Shoqata “Biznesi për Biznesin” në bashkëpunim me Kryetarët e Bashkive të Kukësit, Hasit e Tropojës, deputetët e Qarkut të Kukësit, përfaqësues të Avokatit të Popullit, si dhe Shoqërisë Civile, ka organizuar sot takimin e zgjeruar me fokus: “Unifikim i qëndrimit për taksën në Rrugën e Kombit”.
Në këtë takim, pas diskutimeve të shumta pjesëmarrësit dolën me një qëndrimin të përbashkët kundër aplikimit të kësaj takse, për arsyet e mëposhtme:
1- Ndërtimi i Rrugës së Kombit është bërë me fonde publike, jo me koncesion.
2- Mirëmbajtja e rrugëve paguhet si akcizë në çdo litër karburant.
3- Kjo taksë nuk përputhet me Strategjinë Kombëtare të Turizmit dhe shkakton humbje financiare për buxhetin e shtetit.
4- Rajoni i Kukësit nuk ka një rrugë tjetër alternative që e lidh me pjesën tjetër të vendit.
“Për këto arsye, Ne i drejtohemi Qeverisë Shqiptare që ta konsiderojë kërkesën tonë për anulimin e taksës dhe do të presim reagimin e saj në një afat 10 ditor, përpara se bashkërisht të ndërmarrim hapa të tjerë të reagimit publik, mbyllje të bizneseve, protesta deri në mosbindje civile”, thuhet në njoftimin për aktivitetin.
Kjo kërkesë do t’i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama; Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj; Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta; Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi; Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka.





