Dita e parë e shtatorit 2016 në portin e Durrësit nis me mbërritjen e anijes turistike tip cruiser “Sirena” me flamur të Bermudeve, ku porti i Durrësit bën pjesë në turin 10-ditor të saj Çivitavekia-Venecia (29 gusht-7 shtator 2016) nëpër detin Adriatik. Sipas njoftimit të dispeçerisë së Drejtorisë së Përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës, gjatë shtatorit 2016, përveç “Sirenës”, do të mbërrijnë edhe tri anije turistike kroçere: “Azamara Journey” (13 shtator 2016), “Thomson Celebration” (14 shtator 2016), “MS Explorer” (17 shtator 2016).
Një pjesë e konsiderueshme e turistëve që vijnë në Durrës me kroçera shprehin interes dhe kureshtje për të njohur dhe vizituar qytetin e Durrësit dhe veçanërisht zonën arkeologjike të tij. Afërsia e qendrës historike të qytetit me portin ndihmon që monumentet historike të jenë lehtësisht të aksesueshme nga turistët një ditorë. Kjo bën që brenda harkut të 8-10 orëve ata të mund të vizitojnë gjithçka të bukur dhe unikale që ofron Durrësi, duke shërbyer më pas, nëpërmjet opinioneve të tyre, si një burim për të tërhequr të tjerë vizitorë. Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës thotë se është në gatishmëri të plotë për të mirëpritur turistët, si duke mirëmbajtur monumentet, ashtu edhe duke ofruar një shërbim cilësor për ta gjatë qëndrimit në qytet.
Fotot janë marrë nga turi i udhëtarëve të kroçerës “Sirena” më 1 shtator 2016 në Muzeun Etnografik në shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut dhe në Muzeun Arkeologjik Durrës.
Th.M.





