Polic i zoti, dhe prind shembullor. Kështu e njohin miq e të afërm, Ardian Kodrën, efektivin që për 20 vite i shërbeu Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

50-vjeçari Kodra, humbi jetën sot tragjikisht gjatë një aksioni në Torovicë të Lezhës, në tentativë për të neutralizuar një person me të probleme mendore, të armatosur. Kodra, banues në Shkodër, ishte i martuar dhe baba i dy djemve.

Tashmë familja Kodra ka hapur dyert të motit për kryefamiljarin, i cili si çdo herë u nis në punë, ndërsa fati i keq luajti me të. Ndërkohë, autori i vrasjes, David Qosja, që sipas policisë është person me probleme mendore, vijon ende të jetë i izoluar në banesën e tij, ndërsa nuk pranon të dalë prej aty, duke qëlluar me automatik në drejtim të policisë.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur në tetor të vitit 2015, në Oblikë të Shkodrës, ku 52-vjeçari Ruzhdi Arishta, ka vrarë komshiun e tij 21-vjeçar, Besar Shebela pas një konflikti. Pas kësaj Arishta, që ishte i sëmurë mendërisht dhe i braktisur nga të gjithë, ka qëlluar edhe ndaj punonjësve të policisë, ku për pasojë humbi jetën komandanti i FNSH për Shkodrën, Simon Gjeta. Pas 12 orësh përplasje me policinë, u ekzekutua edhe autori i ngjarjes. /BalkanWeb/