Në një mbrëmje të veçantë në hollin protokollar, kryeministri Edi Rama bashkëbisedon në panelin e COD me Carlo Ancelotti, në prani të të ftuarve nga bota e sportit, publicistikës, politikës, trupit diplomatik dhe medias.

Carlo Ancelotti vjen në Shqipëri si i ftuar i posaçëm i Kryeministrit në një takim që vë në qendër sportin, talentin dhe strategjitë e suksesit. Pjesë e dialogut me të ftuarit është edhe libri i fundit i Ancelotti-t, “Lidershipi i urtë: të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet” (Quiet Leadership: Winning Hearts, Minds and Matches) i botuar në maj të 2016. Aktiviteti moderohet nga një emër i spikatur i emisioneve sportive, Edi Manushi. Më herët, takimi i ciklit “Podiumi i COD” kushtuar Asllan Rusit dhe Dashamir Fagut, u moderua nga Dëfrim Met’hasani, ndërsa COD ka mirëpritur në vijimësi gazetarë dhe analistë të njohur, si Rudina Xhunga, Ben Andoni e të tjerë dhe do të insistojë në bashkëpunime të tilla.

I mirënjohur nga dashamirësit e futbollit si Carletto, Ancelotti është i vetmi trajner që ka fituar tri herë Champions League-n, duke u vlerësuar si nga më të mirët e të suksesshmit e të gjitha kohëve. Është përmes librit të tij të fundit, një “management memoir”, që ai zgjedh të rrëfejë aventurën si trajner, duke u përqendruar jo aq në aspektin autobiografik, sa në rolin e tij të menaxherit. “Lidershipi i urtë…” shpalos botën e Ancelottit përmes “metodave të tij, mentorëve, gabimeve dhe triumfeve të mëdha”; e gjitha përmes reflektimit të një drejtuesi të sprovuar dhe strategjive të tij.

Edhe pse është një nga menaxherët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, me histori suksesi në klube elitare të Europës, qasja e Ancelotti-t ndaj të tjerëve dallon dukshëm me atë të rivalëve të tij. Me stilin diskret, Ancelotti arriti të bëjë për vete lojtarë kryelartë, si David Beckham, Zlatan Ibrahimovic, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale. Te “Lidershipi i urtë…” Ancelotti e zbulon historinë e plotë e të suksesshme të karrierës së tij menaxheriale duke e marrë lexuesin në dhomën e zhveshjes, për të ndjekur karakteret, sfidat dhe vendimet që arritën ta formësonin. Prandaj “Lidershipi i urtë…” vjen me një rezultat të dyfishtë: me kujtimet gjithë dritë dhe me reflektimin e thellë në brendësi të lidershipit.

I lindur më 10 qershor 1959 në Reggiolo të Italisë, Carlo Ancelotti e nisi karrierën në futboll si lojtar, me ekipet Parma FC, AS Roma dhe AC Milan. Mesfushori luftarak i dha fund lojës dinamike për të nisur një tjetër përvojë, atë të trajnerit me AC Reggiana, Parma FC, Juventusin dhe AC Milan, ku njohu suksese të njëpasnjëshme. Kalimi në Chelsea FC, Paris Saint-Germain, Real Madrid CF dhe sot me FC Bayern München, shënoi përshkallëzim në rritje të triumfit të tij menaxherial. Fitues i Globe Soccer Award në 2014, Menaxheri më i Mirë në Botë IFFHS në 2007 dhe 2014, Menaxheri më i Mirë i UEFA-s në 2002-2003, Menaxheri më i Mirë në 2003 nga World Soccer Magazine, Menaxheri më i Mirë i Serie A në 2001-2004, Menaxheri më i mirë i Ligue1 (2012-2013), i Çmimit Kombëtar Enzo Bearzot në 2014, i Çmimit Lideri Frymëzues në 2015 dhe 4 herë Menaxheri më i Mirë i Muajit nga Premier League, cilësohet si “trajneri më i mirë i Europës”. Aventura sportive e Ancelotti-t vijon sot në Gjermani, me moton e mirënjohur të Bajernit “Miasanmia” (Ne jemi ata që jemi). Sepse “janë dy gjërat që të japin formë: durimi, kur nuk ke asgjë dhe qëndrimi që mban, kur i ke të gjitha”, sipas vetë Ancelotti-t.