Një tentativë për vrasje është regjistruar mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Korçës, afër poliklinikës. Sipas të dhënave nga policia, bëhet e ditur se Mondi Firaj, banues në Drenovë është kërcënuar me armë nga Endri Dervishi, i cili ka qëlluar disa herë.

Pas tentativës së vrasjes, autori i dyshuar u largua nga vendngjarja, por ai u kap pranë Çifligut, nga efektivët blu, pasi u aksidentua me makinë. Mësohet se nga aksidenti autori i dyshuar nuk ka pësuar lëndime.

Ndërkohë, policia ka filluar hetimiet dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. 

NJOFTIMI I POLICISË

Më datë 01.09.2016 jemi njoftuar se në Bulevard “Fan Noli” lagjia 7 në Korçë, shtetasi Endri Dervishi, rreth 28 vjeç, banues në Korçë, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes- Benz” me targa AA 666 NL, ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë, në drejtim të shtetasit M.F, rreth 39 vjeç, banues në Drenovë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga të dhënat e para, rezulton se shtetasi M.F nuk ka pësuar asnjë dëmtim fizik apo plagosje. Autori i dyshuar i ngjarjes, u kap menjëherë nga shërbimet e Policisë dhe u shoqërua në Komisariat për të marrë dëshminë e tij. Edhe shtetasi tjetër, gjithashtu ndodhet i shoqëruar. Nuk dihen ende rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, arma në fjalë. Grupi hetimor, po punon për të bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes.