T’i presësh kokën një njeriu dhe ta ngjisësh në trupin e një tjetri duket si skenari i një filmi horror, megjithatë, disa shkencëtarë të jetës reale thonë se po planifikojnë ta bëjnë një gjë të tillë në fillim të vitit të ardhshëm.Shkencëtari italian Sergio Canavero njoftoi që vitin e kaluar se kishte në plan të kryente transplantin e parë të kokës në vitin 2017. Atij i është bashkuar edhe një kirurg nga Kina, dr. Xiaoping Ren, dhe tani ka gjetur edhe një pacient vullnetar që është i gatshëm të kryejë transplantin. Pacienti është Valery Spiridonov nga Rusia.
Spiridonov vuan nga sëmundja “Werdnig-Hoffmann”, një çrregullim i rrallë, zakonisht gjenetik, që thyen muskujt dhe vret qelizat nervore në tru dhe shtyllën kurrizore që ndihmon në lëvizjen e trupit. Njerëzit me këtë sëmundje që shpërbën muskujt nuk jetojnë më gjatë se 20 vite.
Shumë shkencëtarë kanë dalë kundra planeve të kirurgëve Canavero dhe Ren, ku i akuzojnë për promovim të shkencës me teori të pavërtetuara dhe për krjim të shpresave false. Një kritik madje deklaroi se shkencëtarët duhet të dënohen me vrasje nëse pacienti vdes.
Canavero ka publikuar tek revista “Surgical Neurology International” detaje në lidhje me procedurën, e cila është testuar me sukses tek minjtë.
Fillimisht, si me çdo transplant tjetër të organeve, duhet gjetur një dhurues. Kjo procedurë kërkon trupin e një pacienti të ri të vdekur klinikisht. Sapo të sigurohet leja nga familja, kirurgët do të përgatisin trupin për operacion. Në të njëjtën kohë, Spiridonov do të merret nga një tjetër ekip kirurgësh, që duhet të ftohin trupin e tij në 10 gradë celsius. Në këtë mënyrë do të shtyhet vdekja e indeve në tru për një orë, që do të thotë se kirurgët duhet të veprojnë shumë shpejt. Duke përdorur një thikë transparente diamanti, ata do të presin kokat e dy pacientëve, duke i ndarë me shtyllën kurrizore në të njëjtën kohë.
Më pas do të përdoret një pajisje e veçantë për zhvendosjen e kokës së Spiridonov, të mbajtur me rripin Velcro në qafën e dhuruesit. Dy fundet e shtyllës kurrizore do të ndërfuten pastaj së bashku me anë të një përbërësi kimik të quajtur polietilen gliko, i cili ndihmon në rritje e qelizave që përbëjnë palcën kurrizore.
Muskujt dhe furnizuesi me gjak nga trupi i dhuruesit do të bashkohen më pas me kokën e Spiridonov, dhe ai do të mbahet në koma për 3-4 javë, për të shmangur lëvizjet e kokës ndërkohë që shërohet. Do të përdoren edhe elektroda të implantuara për të stimuluar shtyllën kurrizore të forcojë lidhje të reja nervore.
Canavero thotë se transplanti, i cilit kërkon 80 kirurgë dhe dhjetëra milionë dollarë, do të ketë mbi 90% shans për sukses nëse miratohet.
Nëse aprovohet, procedura do të kryhet në Kinë ose në një shtet tjetër jashtë Evropës dhe Amerikës, duke qenë bota perëndimore nuk e aprovon. /Gazeta Shëndeti/





