Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka kërcënuar dje Shkodrën se nuk do të marrë fonde nga qeveria nëse nuk prish ndërtimet përreth stadiumit.
Përmes një konference për shtyp, Ademi e quan ‘skandaloze” dhe të papranueshme” kërcënimin dhe akuzon Ramën se pas saj fshihet hakmarrja e tij për Shkodrën që s’e votoi.
“Jam këtu për të denoncuar kërcënimet e papranueshme dhe skandaloze të kryeministrit të vendit ndaj Shkodrës dhe qytetarëve të saj. Mbrëmë në prani të dhjetëra vetëve në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, Edi Rama u hakërrye duke më thënë se Shkodra do të ketë zero fonde. Zero fonde e përsëriti 10 herë kryeministri i Shqipërisë. Nuk është vetëm kërkesa e tij për prishjen e shtëpive pranë stadiumit arsyeja, kurrsesi. Kjo është e qartë se është një sjellje politike, hakmarrëse ndaj një qyteti e ndaj banorëve të tij, që nuk e kanë votuar Edi Ramën”, deklaroi Ademi.





