Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është shfaqur sot publikisht me drejtoreshën më të re të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela.

Kumbaro theksoi se procesi i përzgjedhjes ishte transparent dhe shtoi se bilanci i bërë në këto tre vjet në TKOB ka qenë i mirë. Kësisoj, shtoi Kumbaro, asgjë nuk do të ndryshojë në trupën e teatrit në fjalë, që drejtohej dikur nga Ilir Kerni.

“Procesi ishte i hapur dhe transparent. Falënderoj për këtë proces mediat. Falënderoj edhe kandidatët që morën pjesë në këtë datë, të 6-të kandidatët. Në mënyrë të veçantë, Skënder Gjinin. Në fund të atij procesi, komisioni dhe në fund Qeveria, vendosi për kandidaturën e përzgjedhur, një person që është shumë i njohur për ju. Nuk më takon mua të them se çfarë ka bërë Zana në këto vite, ju e keni ndjekur, media po”, tha Kumbaro.

Drejtoresha e re Zana Çela, në fjalën e saj, deklaroi se e njeh mirë teatrin dhe falënderoi ish-drejtorin Ilir Kerni për kontributin e dhënë në këtë institucion përgjatë këtyre tre viteve.

“E njoh teatrin shumë mirë. Doja të prezantoja disa nga momentet kryesore të kësaj platforme. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë ndjekësja më e rregullt e shfaqjeve tuaja dhe kam përjetuar me shumë dashuri të gjitha shfaqet tuaja. Jam emocionuar shumë dhe me ato shfaqje. Ndaj, sot, meqë ju kam të gjithëve, ju përgëzoj për suksesin që keni arritur përgjatë këtyre viteve. Nga ana tjetër ajo falënderoj dhe ish-drejtorin e TKOB, Ilir Kerni, për kontributin e tij përgjatë këtyre viteve në teatër”, tha ajo.