Kryeministri Edi Rama foli për një situatë ulëritëse në Akademinë e Shkencave, ku nuk ka një regjistër të aktivitetit të shqiptarëve që bëjnë shkencë.
Deklarata e kreut të qeverisë u bë gjatë një takimit të 11-të mbarëkombëtar të Institutit Alb-Shkenca. Kryeministri tha se gjendja e këtij institucioni tregon rrënimin e gjithë sistemit të të bërit shkencë. Sipas kryeministrit, gjendja e Akademisë së Shkencave nuk do mahniste as Eqerem Çabejin sikur të ngjallej.
“Është ulëritëse, grupet e shkencës kanë nevojë për investime. Akademia e Shkencave është pa regjistër të atyre që bëjnë apo përpiqen të bëjë shkencë. Tronditëse, nuk ka një regjistër të vendndodhjes së aktivitetit të shqiptarëve që merren me shkencë. Vetë shteti ynë nuk i di ku i ka shqiptarët jashtë atdheut. Nuk jemi aq shumë sa të mos numërojmë njëri-tjetrin, kur e mendon që kinezët numërojnë në kohë reale çdo kinez që diplomohet në çdo vend të globit pavarësisht se nuk shkel më në Kinë. Ne sot s’kemi regjistruar dot popullin shqiptar. Regjistri i të dhënave me shqiptarët kudo që jetojnë, për t’ju dhënë mundësi të jenë pjesëmarrës në jetën politike se duam që shqiptarët të votojnë. Akademia e Shkencave është pamja më kuptimplotë e rrënimit të gjithë sistemit të të bërit shkencë në Shqipëri. Po të ngjallej Eqerem Çabej besoj se askush nuk thotë se do mahnitej me progresin e bërë që pas vdekjes së tij”, tha Rama.





