Dy oficerë policie janë arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Fierit pasi gjatë një konflikti me disa persona kanë qëlluar me armë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, në lagjen “1 Maj” Fier, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Parkut”

Në komunikatën e Policisë së Fierit thuhet se, dy punonjës policie janë konfliktuar me disa shtetas.

Gjatë konfliktit është shkrepur arma e një prej punonjësve të policisë. Nuk ka të dëmtuar dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier të dy punonjësit e policisë.

Dy efektivët janë pjesë e Strukturës Speciale Operacionale të Drejtorisë të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që kanë për mision  kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të Policisë.