Këtë fillimvjeshte bëhet testimi për ngritje në gradë i punonjësve të Policisë së Shtetit. Si funksionon testimi dhe rezultatet e tij ta tregon me zë të lartë, teksa flet në një autobus të linjës ndërqytetase Durrës-Tiranë, një nga personat që do t'i nënshtrohet këtij testimi. Me një fjalor që e bën me turp uniformën që mban veshur, pasi njofton komandantin e tij në telefon, se sot nuk mund të shkojë në punë, meqë është pak paqejf, të tjerë shefave u thotë se është në krye të detyrës e mjaft i lodhur nga shërbimet e shpenzimet për 2 javë shërbim në Golem. Në telefonata të ndryshme të njëpasnjëshme ndryshon tonalitetin e zërit e informacionin e dhënë, në varësi të rëndësisë së shefit a kolegut që ndodhet në komunikim me të. Herë pas here kujdeset të hedhë sytë rreth e rrotull për të shijuar efektin e fuqisë së fjalës së vet, nën petkun e uniformës që mban veshur.

Sa i përket testimit të cilit do t'i nënshtrohet për gradën nënkomisar, që konsiderohet dhe hapi i parë për të kaluar në nivelin e parë të drejtimit, shprehet se ata që do e marrin gradën e re janë përcaktuar që në krye të herës, por ai do e provojë ngritjen në gradë se “nuk është tip v.k…, si disa të tjerë në polici, po ka dy të larta dhe ca miq i ka dhe ai, ndonjë spiunllëk të vogël edhe e bën në drejtori”. Është optimist dhe për faktin si sulmon kolegët në pikat e dobëta që u zbulon, për t'ua mbyllur gojën, se në fund të fundit dhe në polici kjo funksionon gjithherë.

Policia që duam?!

Nëse ngritja në gradë për punonjësit e policisë është ende fiktive e bazohet në elementë që cenojnë integritetin moral e shoqëror të çdokujt që është pjesë e strukturave të sigurisë në vend, është turp për institucionet dhe këdo që merret drejtpërdrejt me testimin e nxjerrjen e rezultateve dhe ngritjen në nivele të menaxhimit policor të individëve që nuk arrijnë dot të menaxhojnë as gjuhën e tyre në ambiente publike, le më pastaj të jenë menaxherë të aftë policor e me inteligjencë të spikatur kriminale për të kryer detyrat që u kërkohen.

Ka nga këta me dy a dhjetë diploma që e ndotin uniformën e padyshim ka dhe të tjerë që e nderojnë atë, po në ambiente ku lulëzojnë të parët: servilët, spiunët, të paaftët e megalomanët, ata nuk mund të rriten, po veç të qëndrojnë në hije duke marrë vlerësimin e qytetarëve, kur bien në kontakt me ta, po jo të profesionalizmit të tyre, punës dhe drejtuesve që duhet t’i promovojnë në detyrë. Në pritje të reformave dhe në sektorin e sigurisë.