Dy ditë më parë u raportua për vendosjen e njësitë elitare të policisë malazeze në kufirin me Kosovën. Respektivisht, u raportua për vendosjen e pjesëtarëve specialë të njësitit antiterrorist.
Sipas medieve malazeze, kjo masë radikale e ndërmarrë nga fqinji ynë vinte si pasojë e frikës nga përleshjet eventuale pas ratifikimit eventual të demarkacionit më 1 shtator në Kuvendin e Kosovës.
“Vijesti”, gazeta më e madhe në Mal të Zi dhe e afërt me pushtetin atje, raportoi se, të martën në kufirin me Kosovën përveç njësisë antiterroriste, aty u vendosën edhe mitraloz.
Sipas burimeve të besueshme të “Vijestit”, më 23 gusht, 30 pjesëtarët të SAJ-it, të armatosur me armë të rënda kanë patrulluar brezin kufitar.
Këto burime kanë thënë se, pjesëtarët e SAJ-it ishin udhëhequr nga komandanti Mirko Banoviç dhe zëvendësi i tij, Milan Kovaçeviç. Ata kishin qëndruar tërë ditën në kufi dhe më pas ishin kthyer në Podgoricë.
“Vendimi që pjesëtarët e njësisë anti-terror të patrullojnë në brezin kufitar është marrë nga krerët e shtetit malazez, pasi që kishin marrë informacione nga shërbimet e sigurisë se situata mund të degradojë për shkak të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi”, shkruan “Vijesti”.
Më herët kjo gazetë shkruante se pas kontrollit, është hartuar plani, sipas të cilit, në rast të nevojës “SAJ” dhe Njësia e Veçantë policore do të stacionoheshin në kufirin me Kosovën.
“Të armatosur me armë të rënda kanë hyrë në zonën tampon, kurse mitralozat janë vendosur në karaulla. Të armatosur deri në dhëmb, pjesëtarët e SAJ-it atë ditë kanë në sytë e të gjithëve që kanë udhëtuar nga Rozhaja deri në Pejë”, shkuan gazeta malazeze.
Sipas informacioneve jozyrtare, specialët malazezë kishin në plan t’i kontrollonin edhe veturat e KFOR-it të cilat nga Kosova hynin në Mal të Zi. /Lajmi.net





