Projekti më i ri që pritet të realizohet në Durrës është një tunel që do të nisë nga Muzeu i Dëshmorëve deri në Currila, një projekt gjigant që do ta lehtësonte aq shumë jetën e qytetarëve durrsakë.

Lajmin e bën me dije “Open Procurement Albania”, e cila njofton se për projektin e ri është bërë edhe thirrja për pjesëmarrje në tender për hartimin e një Studimi dhe Projektimi për Realizim të Tunelit në aksin Muzeu i Dëshmorëve-Currila.

Fondi limit për hartimin e Studimit dhe Projektit është 12 500 000 (dymbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë dhe mbulohet nga buxheti i bashkisë së Durrësit.

Firma që do të fitojë të drejtën për të realizuar këtë studim dhe projektim, duhet të përfundojë gjithçka brenda 30 ditëve nga lidhja e kontratës.

Sipas Pasaportës së tenderit hartuar në portalin “Open Procurement Albania”: ky tunel do te fillojë në Rrugën e Dëshmorëve, në drejtim të kryqëzimit me rrugën “Aleksandër Goga” poshtë Muzeut të Dëshmorëve nën fabrikën e tullave dhe do të dalë në pjesën perëndimore të kodrës së Currilave.

Gjatësia e këtij tuneli parashikohet të jetë 1.2, 1.4 km. Pika e nisjes së tij do të merret kryqëzimi i rrugës “Kasem Durrësi” me Rrugën e Dëshmorëve nga ku do të fillojë rampa zbritëse për në tunel.

Ndërtimi i këtij tuneli është domosdoshmëri për lehtësimin e trafikut në pjesën jug-perëndimore të qytetit duke filluar nga hyrja e Portit dhe drejtohet për në Plazhin e Currilave, Kallm dhe krijon një unazë me qendrën e qytetit me zonën perëndimore.

Megjithëse tenderi duhet të mbahej 10-ditëshin e parë të muajit gusht, ende nuk ka njoftim për studio dhe kompani fituese.