Një fëmijë 10 vjeç është mbytur në ujërat e lumit Drin, në fshatin Katund i Ri në Peshkopi. Policia e Dibrës sqaron se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur babai i 10-vjeçarit, shtetasi Sh. Gj. nga fshati Mazhic, ka njoftuar në Sallën Operative se që nga ora 11.00 e paradites nuk i ishte kthyer djali i tij I. Xh. rreth 10 vjeç.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e policisë, ku kanë ushtruar kontroll gjatë gjithë natës, dhe gjatë orëve të para të mëngjesit përgjatë shtratit të lumit Drin.
Trupi i pajetë i vogëlushit I.Xh. u gjet rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur “Shenjat e Brezhdanit”, mbi urën e fshatit Muhurr.
Nga këqyrja paraprake e kufomës e kryer nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune apo dëmtime të tjera të shkaktuara nga ndonjë faktor tjetër, përveç asaj të mbytjes.
Ndërkaq, grupi hetimor po vijon hetimet në vendngjarje.





