Pas votës historike të 22 korrikut, Kuvendi i Shqipërisë sot do të vendoset para një tjetër prove të rëndësishme, tashmë për të nisur zbatimin e Kushtetutës së re, duke votuar një prej ligjeve më të rëndësishme, siç është ai i Vettingut.

Në orën 17:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme plenare, e cila do të shqyrtojë dhe miratojë projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“.

Ky është ligji i parë i cili do të shoqërojë paketën e ndryshimeve kushtetuese, për ta bërë të mundur zbatimin e reformës në drejtësi.

Një ditë më parë, ambasadori i SHBA-së Donald Lu dhe ajo e BE-së Romana Vlahutin, zhvilluan një takim me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta. Lu u takua po ditën e djeshme edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, në selinë e PD-së.

Ditën e djeshme Partia Demokratike dorëzoi zyrtarisht në Kuvend 75 amendamentet e plota mbi ligjin për Rivlerësimin kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.