Prindërit e një fëmije vetëm 8-muajsh në Itali u munduan të fshehin të vërtetën kur çuan të voglin e tyre në urgjencën e Rivolit, duke thënë se kishte gëlltitur një copë nga ushqimi i qenit, por hetimet e mëvonshme zbuluan se foshnja kishte gëlltitur hashash, duke e ngatërruar me çokollatën.
Mjekët e urgjencës në Rivoli nuk janë bindur nga fjalët e prindërve duke kryer analiza më specifike, shkruajnë sot mediat lokale.
Në trupin e të voglit nuk ka shenja dhune, por testet toksikologjike zbuluan praninë e drogës në trup.
Ai u paraqit në spital në gjumë të thellë dhe në spital të gjithë janë habitur, pasi askush më parë në një moshë kaq të vogël nuk kishte konsumuar hashash.
Nga spitali, u sqarua më tej se fëmija ka qenë në tarracën e shtëpisë së tij në momentin kur nëna me babain organizonin një festë me miqtë. I vogli ka gëlltitur hashash, duke e marrë nga një kuti të përafërt me atë të çokollatës.
Sakaq, spitali e ka çuar çështjen në prokurori dhe hetimet për rastin vijojnë. Nisur nga kjo që ka ndodhur, punonjësit socialë do të duhet të verifikojnë se në çfarë kushtesh jeton foshnja dhe nëse ka ndonjë rrezik për rritjen e tij.





